E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti Begaj viziton Ohërin, diskuton bashkëpunimin rajonal me Presidenten e Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, realizoi tw shtunwn një vizitë njëditore në Ohër, me ftesë të Presidentes së Maqedonisë së Veriut, Stevo Siljanovska-Davkova. Gjatë takimit, dy liderët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal, me fokus të veçantë në procesin e integrimit europian për të dy vendet.

Presidenti Begaj theksoi se faktorët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut shërbejnë si një urë lidhëse thelbësore për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe progresive mes dy shteteve.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Begaj shkroi: “Në Ohër për një vizitë njëditore, me ftesë të Presidentes Siljanovska-Davkova. Folëm për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe integrimin europian. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vullnetin për të bashkëpunuar në projekte me vlerë për qytetarët tanë.”

Projekte të përbashkëta për progres

Begaj u shpreh optimist për mundësinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, jo vetëm në fushën ekonomike dhe të infrastrukturës, por edhe në atë kulturore dhe sociale.

“Zhvillimi i projekteve të përbashkëta jo vetëm ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe kulturore e sociale është i arritshëm dhe i mirëpritur. Me forca të përbashkëta drejt progresit!”, përfundoi ai.

Takimi i dy presidentëve nënvizon angazhimin e dy vendeve për të thelluar lidhjet e tyre dhe për të punuar së bashku drejt objektivave të përbashkëta strategjike, veçanërisht në kontekstin e aspiratave të tyre evropiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›