E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Bush: Ukraina duhet të fillojë rrugën e anëtarësimit në NATO

Presidenti amerikan Bush thotë se mbështet përpjekjet e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për të filluar rrugën e anëtarësimit në NATO gjatë takimit të aleancës këtë javë në Rumani. Në Kiev, presidenti Bush u takua me presidentin Ukrainas Viktor Jushçenko.

Presidenti Bush thotë se ai është i vendosur në qëndrimin e tij. Ai thotë se NATO-ja duhet t'u ofrojë dy ish republikave sovjetike një plan veprimi për anëtarësim në aleancë duke përcaktuar objektiva drejt anëtarësimit të plotë.

"Në Bukuresht, unë do të vazhdoj ta bëj të qartë qëndrimin amerikan: ne mbështesim Ukrainën dhe Gjeorgjinë të bëhen pjesë e plan-veprimit për anëtarësim në NATO."Duke folur në një konferencë shtypi me udhëheqësin ukrainas, presidenti Bush tha se është në interes të të gjithë vendeve anëtare të NATO-s t'i sjellin këto vende në aleancë.

"Mendoj se anëtarësimi i Ukrainës është në interesin tonë si dhe të tyre. Ndalesa ime këtu duhet t'u dërgojë një sinjal të qartë të gjithëve se unë jam i përkushtuar ndaj kësaj çështjeje."

Por Rusia e kundërshton me forcë zgjerimin e NATO-s pranë kufijve të saj si dhe aspiratat e anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Zëvendës ministri i jashtëm rus Grigori Karasin tha sot se anëtarësimi i Ukrainës do të kërcënonte sigurinë në Evropë. Presidenti Bush thotë se Rusia nuk gëzon të drejtën e vetos për këtë çështje.

Ai i mohon zërat se ka bërë një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin sipas së cilës Shtetet e Bashkuara do të pajtoheshin të zbusnin qëndrimin e tyre në lidhje me zgjerimin e NATO-s në këmbim të lëshimeve nga ana e Moskës për planin e dislokimit të sistemit të mbrojtjes nga raketat në Evropë.

"Unë do të punoj shumë që Ukrainës dhe Gjeorgjisë t'u jepen plan-veprimet për anëtarësim pa diskutim,"tha presidenti Bush. Disa vende anëtare të NATO-s, veçanërisht Gjermania, kanë shprehur rezerva për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Presidenti Bush thotë se administrata e tij po përpiqet ta bindë aleancën t'i mbështesë përpjekjet e këtyre dy vendeve për anëtarësim. Dhe presidenti Viktor Jushçenko u përpoq ta shmangë pyetjen se çfarë do të bënte ai nëse takimi i Bukureshtit nuk do ta pranonte kërkesën e tij.

"Ne gëzojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe besoj se do të marrim një sinjal pozitiv nga Bukureshti. Jam i sigurt se kemi zgjedhur rrugën e drejtë dhe se po veprojmë brenda kuadrit të sovranitetit tonë kombëtar."

Nga ana e tij, presidenti Bush thotë se nuk dëshiron ta paragjykojë rezultatin e takimit të NATO-s. Siç tha edhe një zyrtar i lartë i NATO-s, në pikëpyetje nuk është anëtarësimi, por koha se kur të ndodhë kjo. //bsa//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›