E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Meta dënon vendimin e Kuvendit për të ndaluar gazetarët në komisionet parlamentare

Presidenti lir Meta e konsideron të papranueshëm vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e gazetarëve të politikës në Komisionet Parlamentare për të bërë raportimin e tyre. Përmes një postimi në rrjetet sociale, zoti Meta shprehet se mazhoranca kërkon të instalojë një regjim censure.“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara. Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri. Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.” shprehet presidenti.
Kreu i shtetit i bëri thirrje qeverisë që të tërheq nga vendimi “antidemokratik”. “Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit.”, tha zoti Meta.

Byroja e Kuvendit ka miratuar një rregullore sipas të cilës gazetarët dhe operatorët nuk mund të qëndrojnë në ambientet e komisioneve parlamentare gjatë kohës që zhvillohen mbledhjet. Transmetimi i mbledhjeve do të bëhet nëpërmjet një regjie qendrore, ndërsa gazetarët do të kenë mundësi t’i ndjekin nga News Room (një hapësirë e posaçme për gazetarët në Kryesinë e Kuvendit)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›