E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Meta kallëzim penal kundër Kuvendit për falsifikim dokumentesh

Presidenti Ilir Meta njoftoi se ka firmosur kallëzimin penal kundër kuvendit të dominuar nga socialistët për falsifikim dokumentesh. 

“Sot kam firmosur kallëzimin penal si President i Republikës kundër strukturave të funksionarëve përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë për veprat penale të kryera në bashkëpunim “falsifikim dokumentesh” tha zoti Meta në një dalje për shtypin paraditen e së mërkurës.

“Për të shkarkuar presidentin falsifikojnë në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes në interes të grupeve të caktuara? Çfarë garancie kemi ne që pronat nuk falsifikohen?” pyeti zoti Meta.

“Ky akt falsifikimi që kërkon të ligjërojë gjoja procedurën brenda afateve, një procedurë mafioze, nuk është gjë tjetër veçse përpjeke për të finalizuar një grusht shteti kundër kreut të shteti” tha presidenti.

Kreu i shtetit hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e shkarkimit të tij dhe largimit para kohe nga detyra. Ai tha se data 24 korrik është data kur përfundon afati kushtetues i detyrës si president i vendit. 

I pyetur nëse do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse e shkarkon, Meta tha se në institucionin e Presidencës nuk do të ketë asnjë bravë shtesë.

“Ju thoni që 24 korriku të ishte sot, unë do të doja të ishte dje. Nuk do të ketë asnjë bravë në institucionin e Presidencës. Unë jam kam premtuar se më 24 korrik do të kemi një festë. Populli i 2 marsit është shtuar shumë se është shumë i irrituar, sidomos nga këto falsifikimet e tyre”, tha presidenti Ilir Meta.

“Ta harrojnë ata që kanë menduar në mënyrë mafioze, gjithë ata rilindas vendas dhe ndërkombëtar, vendas mavi dhe blu, se do të varrosin de facto pluralizmin politik në Shqipëri dhe do dhunojnë popullin e Shqipërisë! Do dëshpërohen pa fund! Do të marrin përgjigjen e merituar! Për këtë ju jap fjalën. Jam Ilir Meta u them atyre o superbudallenj” tha kreu i shtetit Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›