E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani: Optimizëm për marrjen e statusit të vendit kandidat këtë fundvit

25-07-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës mori pjesë në takimin e Brdo-s në Slloveni

Në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, Slloveni, Presidenti i Shqipërisë, SH.T.Z. Bujar Nishani deklaroi se pas përmbushjes së rekomandimeve ka më shumë optimizëm për marrjen e statusit të vendit kandidat të bazuar në meritë, këtë fundviti. “Mbetemi plotësisht të përkushtuar në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e ritmit të reformave për arritjen e standardeve evropiane. Ky është një proces që kërkon vijueshmëri. Kështu, do t`u ofrojmë qytetarëve tanë shërbime të cilësisë evropiane dhe do të arrijmë objektivin më parësor strategjik, integrimin evropian”- deklaroi Presidenti Nishani.
Në prani të presidentëve të vendeve të rajonit dhe presidentit francez Hollande, Presidenti Nishani nënvizoi në fjalën e tij edhe faktin se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ndërruar faqen e historisë, duke u shndërruar nga burim kokëçarjesh, në hapësirën e mundësive të shumta që duhen shfrytëzuar nëpërmjet projekteve konkrete të bashkëpunimit. “Tashmë, dialogu është gjuha e komunikimit, ku bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë risia më e këndshme dhe meritojnë mbështetje të veçantë. Por, ne mendojmë se bashkëpunimi rajonal konkretizohet, përtej deklaratave verbale, nëpërmjet projekteve konkrete për krijimin e një infrastrukture të përbashkët moderne rajonale, bashkëpunim në fushën e turizmit, transportit, mbrojtjen e ambientit, heqjes së gjithë barrierave jofizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të njëri-tjetrit. Angazhimi ynë i përbashkët do t`i shërbejë rritjes së potencialit ekonomik të rajonit, për ta bërë atë një treg të dukshëm, tërheqës dhe konkurrues për investitorët e huaj nga e gjithë bota”, - theksoi Presidenti Nishani.
Duke vlerësuar rolin e Procesit të Brdo-s për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetit si dhe proceseve integruese të vendeve të rajonit tonë, Presidenti Nishani u shpreh se Sllovenia dhe Kroacia janë zëra të fortë dhe avokatë të rajonit tonë në BE dhe se arritjet e tyre janë një vlerë që duhet shfrytëzuar në procesin integrues të të gjitha vendeve të rajonit.
Në vigjilje te Takimit të Kryetarëve të Procesit të Brdo-s, Presidenti Nishani zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Francës, François Hollande.
Presidenti Nishani falenderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme, dhënë Shqipërisë në procesin e reformave dhe integrimin evropian, kërkoi vijimin e kësaj përqasjeje dhe garantoi se Shqipëria do të mbetet e angazhuar në përshpejtimin e reformave për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, në realizimin e agjendës së saj evropiane dhe do të vazhdojë të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke ndjekur me vendosmëri politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitur bashkëpunimin rajonal. Kreu i shtetit ftoi gjithashtu bizneset franceze që të jenë më të pranishme në Shqipëri.
Presidenti Hollande shprehu mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe vlerësoi zgjedhjet e fundit si një dëshmi më shumë të përparimit të demokracisë.
Presidenti francez u shpreh se Franca do të mbështesë marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në përgjigje të interesimit të homologut të tij francez, Presidenti Nishani përsëriti qëndrimin se Shqipëria i inkurajon shqiptarët në rajon të veprojnë institucionalisht në mbështetje të zhvillimit dhe prosperitetit të vendeve ku jetojnë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›