E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Obama njofton strategjinë e re për Afganistanin dhe Pakistanin

Presidenti Barak Obama paraqiti planin e tij për të dërguar rreth 4 mijë trupa shtesë në Afganistan dhe për të rritur përpjekjet diplomatike me Pakistanin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein njofton nga Shtëpia e Bardhë ku presidenti shpalli strategjinë e tij për të stabilizuar të dyja vendet.  

Presidenti Obama thotë se strategjia e tij ka një objektiv të qartë. 

"Të pengojmë, shpërbëjmë dhe të mposhtim al kaidën në Pakistan dhe Afganistan dhe t'i ndalim ata të kthehen në këto vende në të ardhmen. Ky është një qëllim që duhet realizuar. Kjo është një kauz e drejtë. Dhe për terroristët që na kundërshtojnë, mesazhi është i njëjtë – do t'ju mposhtim”.  

Zoti Obama thotë se për amerikanët, rajoni kufitar mes Afganistanit dhe Pakistanit "është vendi më i rrezikshëm në botë”, ku ata që planifikuan sulmet terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara po përgatisin sulme të tjera.  

4 mijë trupat e tjera do t'u shtohen 17 mijë trupave amerikane që presidenti kërkon të dislokojë në atë vend gjatë muajve të ardhshëm. Deri në tetor, niveli i përgjithshëm i forcave duhet të arrijë në 59 mijë.  

Sipas planit të ri, fokusi i misionit amerikan do të zhvendoset tek stërvitja dhe shtimi i numrit të forcave afgane të sigurisë, në mënyrë që ata të marrin përgjegjësinë për sigurinë e vendit të tyre. Strategjia e zotit Obama i kushton një rëndësi të veçantë Pakistanit. Ai thotë se qëndrueshmëria e Pakistanit varet nga mposhtja e al-Kaidës dhe aleatëve të saj.  

"Ata kanë vrarë shumë ushtarë dhe policë pakistanezë. Ata vranë Benazir Buton. Kanë hedhur në erë ndërtesa, kanë sabotuar investimet e huaja dhe kanë kërcënuar stabilitetin e vendit. Nuk ka diskutim: al-Kaida dhe aleatët e saj ekstremistë janë një kancer që rrezikon ta shkatërrojë Pakistanin nga brenda”.  

Presidenti i kërkon Kongresit që të autorizojë 1.5 miliardë dollarë që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë në ndërtimin e shkollave, rrugëve dhe spitaleve në Pakistan si dhe një ligj për zhvillimin ekonomik në zonën përgjatë kufirit përveç nismave të tjera diplomatike.  

"Përpjekjet tona në Afganistan dhe Pakistan do të dështojnë në se ne nuk investojmë për të ardhmen e tyre. Kjo është arsyeja që buxheti që kam propozuar përfshin investime të pazëvëndësueshme në Departamentin tonë të Shtetit dhe në programet e ndihmave të huaja”.  

Megjithatë, presidenti kërkon që qeveria pakistaneze dhe ajo afgane të japin llogari se si shpenzohen ndihmat amerikane dhe që ato të luftojnë korrupsionin. Ai tha se Uashingtoni nuk do të japë ndihma pa fund. Zoti Obama tha se një pjesë tjetër e rëndësishme e strategjisë së tij është procesi i ripajtimit në mbarë Afganistanit, i cili mund të bindë disa luftëtarë që të braktisin ideologjinë talebane.  

"Forcat talebane kanë disa elementë të pabindur, kundër të cilëve duhet përdorur forca dhe ata duhen mposhtur. Por ka edhe nga ata elementë që janë detyruar të marrin armët ose këtë e kanë bërë thjeshtë për një çmim. Atyre afganëve u duhet t'u jepet mundësia që të zgjedhin një kurs tjetër”. 

Presideti Obama tha se do të kërkojë mbështetje financiare dhe ushtarake nga e gjithë bota, kryesisht në takimin e NATO-s javën e ardhshme. 

"Bota nuk mund të lejojë që Afganistani të rrëshqasë në kaos ose që al-Kaida të veprojë në atë vend. Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët që të veprojmë, jo sepse ne duam thjeshtë të kemi pushtet, por sepse paqja dhe siguria jonë varen nga një gjë e tillë”.

Presidenti nuk ka njoftuar ende se sa do të kushtojë nisma e re apo se sa gjatë parashikon ai që trupat amerikane të qëndrojnë në Afganistan. Zoti Obama u telefonoi dje Presidentin afgan Hamid Karzai dhe atij pakistanez Asif Ali Zardari. Një zyrtar amerikan tha se presidenti kishte mbetur i kënaqur nga përgjigja e tyre. //bsa//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›