E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, regjisorin e shquar Bujar Kokonozi.

26 mars 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi sot me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, artistin e shquar, regjisorin dhe drejtorin e fotografisë, aktualisht drejtor artistik i Televizionit kombëtar “Top Channel”, Bujar Kokonozi, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e medias elektronike shqiptare, për të komunikuar tek publiku emisione me vlera të mëdha artistike, me përmbajtje kombëtare dhe progresive.”

Në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Institucionit të Presidencës ku merrnin pjesë artistë, aktorë, figura dhe personalitete të shquara të skenës, kinematografisë dhe medias shqiptare. pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi zotit Bujar Kokonozi, Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi. Presidenti Topi theksoi: “Zakonisht nuk është në ritualin e ceremonive të dekorimit për të marrë fjalën, por kam një lloj detyrimi moral, duke e njohur Bujarin prej shumë kohësh, por ky mikrofon nuk është për ta shfrytëzuar për qëllime personale, sepse sot jemi këtu për të nderuar një artist, një mjeshtër të vërtetë.

Jo pa qëllim ju e merrni sot titullin “Mjeshtër i Madh”. Ju jeni mjeshtër që e keni demonstruar me punë e vepra në vite. Zhvillimi juaj nuk ka qenë revolucionar, por ka ardhur nëpërmjet evolucionit. Fakti që ju shoqëroheni sot me kaq zonja e zotërinj, që janë njerëz të shquar të botës së medias, tregon që gjërat nuk vijnë vetëm, por vijnë së bashku me mjeshtra të tjerë dhe me kolegë. Ju e thatë se keni punuar në shumë vende dhe sot jeni pjesë e një medie, që padyshim, është një nga më të kualifikuarat.

Më vjen mirë që ju sot merrni këtë titull. Përtej këtij titulli ka edhe tituj të tjerë, por titujt nuk e bëjnë njeriun të ngrihet në piedestal; juve ju ka bërë vepra juaj.

Këto dy-tri ditë unë kam bërë disa dekorime. Duket sikur Institucioni i Presidentit të Republikës është fokusuar te dekorimet. Natyrisht, për një kohë të gjatë nuk janë bërë dekorime, sepse vetë atmosfera politike, çështje të tjera që kanë qenë, kanë përbërë sunduesin e jetës së këtij Institucioni, ndaj qe detyrim kushtetues. Ne duhet të kuptojmë që, përtej politikës, jeta vazhdon; jeta është shumë komplekse; njerëzit punojnë dhe ata duhet të vlerësohen. Ju vlerësoheni me të drejtë dhe demonstrohet nga një përkrahje e konsensus i gjerë për titullin që meritoni. Edhe një herë urime!

Në fjalën e tij me këtë rast, zoti Kokonozi u shpreh: “Zoti President i Republikës!
Ju falemnderit për vlerësimin që më bëni me titullin “Mjeshtër i Madh”!

Zoti Drejtor i Përgjithshëm i “Top Channel”-it,
Kolegë të Top Medias,
Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj që po më nderoni në këtë çast shumë të rëndësishëm për mua!
Këtë titull e ndaj me ju dhe me gjithë të tjerët që nuk janë në këtë moment, por që kemi punuar bashkë.

Dëshiroj të kujtoj në këtë çast zotin Dritan Hoxha, krijuesin e kompanisë më të fuqishme në Shqipëri. Nderim për veprën e tij!
Ajo që desha të thosha se kam akoma shumë për të dhënë. Besoj se koha do të më ndihmojë.

Edhe një herë, zoti President, ju falemnderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›