Presidenti Topi dekoron piktorin Lin Delija (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

24 maj 2010
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Nderi i Kombit” piktorin e shquar shqiptar, Lin Delija (pas vdekjes) me motivacionin: “Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve”.
Të ftuar me këtë rast në Presidencë ishin personalitete të larta të artit dhe të kulturës në vend, kolegë, miq e të afërm të piktorit, si dhe Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia.
Gjatë ceremonisë zyrtare të dekorimit, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, zotit Aleksandër Delija, të vëllait të artistit të ndjerë, iu dorëzua nga Kryetari i Shtetit urdhri i lartë në nderim, vlerësim dhe mirënjohje të thellë për veprimtarinë e tij me vlera të rralla artistike e krijuese.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Topi u shpreh:
“Shkëlqesia Juaj, Ambasadori D’Elia,
Të nderuar familjarë të piktorit Lin Delija,
I nderuari përfaqësues i Bashkisë së Antrodokos,
Të nderuar miq,
Zonja dhe Zotërinj!
Natyrisht, jemi mbledhur në këtë ceremoni sot për të nderuar një nga ato figura, për të cilat ne, me të drejtë krenohemi, Lin Delinë, njërin prej piktorëve më origjinalë bashkëkohorë shqiptarë, është njëkohësisht edhe më i veçanti për fatin dhe për aktivitetin e tij. Ai i ka munguar shumë gjatë Shqipërisë, si bir dhe shprehës gjenial i etosit dhe i shpirtit shqiptar. Më në fund ai po kthehet nga rrugëtimi i nisur më se gjashtë dekada më parë në kërkim të lirisë dhe të mundësisë së shprehjes të shpirtit të tij artistik.
Lin Delija u rrit dhe u edukua në vatrën e arsimit shqiptar, në bangat e liceut “Illyricum”, në shkollën aty ku u mbush me frymën e një patriotizmi të shëndoshë, me vlerat shpirtërore dhe njerëzore, të cilat lakoheshin natyrshëm me arritjet e kulturës perëndimore. Mësimet e etërve françeskanë, binomin e tyre “Atdhe e Fe”, ai nuk e harroi asnjë çast gjatë jetës së tij, madje malli për dheun e vet e shoqëroi dendur në të gjithë krijimtarinë e tij artistike.
Kudo që jetoi dhe punoi, në Zagreb, në Romë, në Osimo apo në Antrodoko – peneli i tij nuk reshti së shprehuri lidhjet e natyrshme me tokën e vet, rrënjët e paprera me vendlindjen dhe ëndrrën e pashuar për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.
Lin Delija vërtet ishte një piktor që realizoi portrete, skena, peisazhe të përjetshme, por me aq sa kemi mësuar deri tani për jetën e tij, ishte edhe mbajtësi i një porosie atdhetare, intelektuale e shqiptare që e mori me vete në arrati në botën e lirë. Me tërheqjen në qytetin e vogël të Antrodokos, që ndodhet në rrugën e vjetër që niset nga Roma drejt Adriatikut, ai sikur konceptoi jo vetëm ëndrrën e kthimit në atdhe, por edhe vatrën, faltoren dhe altarin e shqiptarëve të lirë. Ne sot prekemi dhe biem në mendime kur mendojmë që studion e tij e ka vizituar Nënë Tereza, bile mesa dimë, është unikal rasti që Nënë Tereza pozoi për të vetmin piktor, dhe ky është Lin Delija.
Kjo i bën nder Lin Delisë, por natyrisht edhe ne të gjithëve. Kudo në artin e tij ndihet bashkëvënia e natyrshme e modernes krahas tradicionales. Një aurë e shenjtë rrethon shumë tablo, aq sa personazhet biblike shndërrohen në malësorë që nuk epen para së keqes, por flijohen për njerëzimin.
Emocione të mëdha na ngjallin figurat e martirëve antikomunistë apo të nënave të përlotura, të heronjve të mitologjisë sonë dhe të njerëzve të thjeshtë që ai pikëzon në veprat që na la.
Lin Delija ka marrë kudo me vete Shqipërinë e tij!
Që kur jam njohur pjesërisht me veprën e këtij piktori, më ka bërë përshtypje mjedisi që ai krijon. Ai është i mbushur me elementë shqiptare plot shenja intime të veshjeve, detajeve etnografike dhe vetë fytyrave karakteristike. Gjithkund, në rrugëtimin e gjatë ka marrë me vete edhe kujtesën e kombit! Ai u bë trashëgues i saj me penelin e tij duke ia përcjellë edhe së ardhmes! Delija është në krah të martirëve të historisë epike e në krah të atyre të historisë moderne, që ndesheshin me barbarinë e komunizmit. Arti i tij është një “peng nderimi” ndaj veprës së tyre të lartë dhe të paharrueshme.
Pak ditë më parë mësova se piktori shkodran Lin Delija ishte shok shkolle e mik me dy shqiptarë të tjerë të mëdhenj: me françeskanin Zef Pllumi dhe basin e famshëm, Lukë Kaçaj, të cilët përshkuan ferrin komunist dhe mbërritën në pragun e demokracisë, duke sjellë me vete autoritetin e tyre moral dhe duke mbetur si vlera në testamentin shpirtëror që brezat i dorëzojnë së nesërmes së kombit tonë. Këtyre dy figurave, në lartësitë e panteonit të atdheut, si “Nder i Kombit”, sot i bashkohet edhe i madhi Lin Delija.
Të dashur miq,
Padyshim, në emër të bashkëkombasve të mi, unë kam kënaqësinë dhe detyrimin moral të falenderoj nga zemra edhe vendin tonë mik, edhe popullin e tij, popullin italian, dhe në veçanti qytetin e Antrodokos dhe qytetarët fisnikë që me aq dashuri çmuan dhe strehuan, bashkëjetuan dhe ndanë vlerat së bashku me piktorin e madh, Lin Delija!
Sot mund të pohojmë me plot gojë se ky bir i Shkodrës, u bë bir në shpirt i Antrodokos, qytet që i zëvendësoi vendlindjen e humbur dhe dashurinë e njerëzve të gjakut të vet. Gjithashtu, një falenderim të veçantë personal, meriton zoti Nikoleti, ky misionar këmbëngulës dhe përhapës i vlerave të artit të të madhit Lin Delija.
Edhe njëherë, faleminderit!”
Ndërsa, zoti Aleksandër Delija, nga ana e tij, shprehu mirënjohjen për respektin e lartë dhe vlerësimin nga Presidenti i Republikës. “Faleminderit zotit President dhe atyre që kanë kontribuar për të dhënë këtë dekoratë për Lin Delinë, profesorin Lin Delija! Faleminderit të gjithëve që keni kontribuar me ardhjen këtu!” , – duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimit.
Po sot, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, dhe në bashkëpunim me Komunën Antrodoko dhe shoqatën “Lin Delija” në Itali, u përurua në mjediset e Presidencës një ekspozitë me vepra të përzgjedhura të piktorit të shquar shqiptar. Ajo u ndoq me vëmendje nga personalitetet pjesëmarrëse në ceremoninë e dekorimit të cilët, për minuta me radhë, kundruan dhe admiruan veprat e piktorit të madh të shoqëruar nga interpretimet dhe përjetimet e vetë artistit dhe njeriut të rrallë, Lin Delija.