E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i jep shtetësinë shqiptare z. Majkëll Granof, Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Fondit Shqiptaro - Amerikan të Sipërmarrjes.

11 korrik 2008

Presidenti i Republikës, Prof.Dr. Bamir Topi i dorëzoi sot z. Majkëll Granof, Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Fondit Shqiptaro - Amerikan të Sipërmarrjes, dekretin nr. 5683, firmosur në datë 23 prill 2008 për dhënien e shtetësisë shqiptare.

Në një ceremoni solemne të organizuar me këtë rast në Presidencë, ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha, Ministri i Punëve të Jashtme, z.Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues dhe anëtarë të tjerë të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, si dhe Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, z.Dashamir Xhaxhiu dhe anëtarë të tjerë të këtij kabineti.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i institucionit të Presidentit, z.Aleksandër Flloko, lexoi një biografi të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë së z. Majkëll Granof në vendin tonë dhe më pas dekretin përkatës të Presidentit të Republikës. Ky dekret, në vijim iu dorëzua z. Majkëll Granof nga vetë Kryetari i Shtetit shqiptar.

Ndërsa z. Granof, në fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni u shpreh mes të tjerash:

“Faleminderit shumë për këtë nder të madh zoti President!
Një nga gjërat e para që mësova gjatë takimit të parë me zotin President disa muaj të shkuara ishte që ai ka një dëshirë intensive për përmirësuar jetën e shqiptarëve. Dhe ky ishte një mision i përbashkët të cilin ne e ndanim të dy, sepse ky ka qenë qëllimi im kur kam ardhur në Shqipëri në vitin 1995 dhe ky ka qenë gjithashtu dhe njëri prej objektivave më të rëndësishëm të Fondit Shqiptaro-Amerikan. Dëshiroj që të falenderoj me këtë rast të gjithë anëtarët e udhëheqjes shqiptare të cilët janë sot këtu duke ndarë me mua këtë ngjarje të rëndësishme. Në një farë mënyre kjo ceremoni sot është pika kulmore e punës dhe përpjekjeve të shumë njerëzve për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe mjedisin tuaj. Ne e dimë që ky nderim nuk ka të bëjë pikërisht vetëm me mua, por ka të bëjë me Bordin e Drejtuesve, me administrimin, me punonjësit si të Fondit, ashtu dhe të Bankës, dhe është rezultat i përpjekjeve dhe punës së tyre gjatë këtyre viteve, unë jam thjesht simboli. Gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi arritur shumë gjëra, kemi zhvilluar sistemin bankar, kemi përgatitur dhe stërvitur financierët e rinj, kemi zhvilluar gjithashtu sektorin financiar dhe ekonomik, kemi ndërtuar aeroportin, kemi zhvilluar dhe sektorin privat duke arritur shumë gjëra në sajë të punës sonë.

Por qytetaria është diçka shumë private, nuk është diçka që mund t’i jepet një kompanie, apo një institucioni. Është paksa e vështirë për dikë që erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1995 që të qëndrojë sot këtu dhe të ketë qytetarinë shqiptare. Për një njeri i cili nuk kishte takuar asnjë shqiptar më parë kjo gjë sot është një dhuratë shumë e madhe, është një pikë kulmore në jetën time. Qytetaria gjithashtu ka të bëjë dhe me përgjegjësinë, qytetaria ka të bëjë me të ardhmen dhe nuk është lidhur thjesht me të kaluarën. Megjithëse mendoj se kemi bërë shumë në të shkuarën sërish besoj që kemi shumë gjëra për të bërë në mënyrë që t’i japim mundësi shqiptarëve për të përmbushur ëndrrat e tyre dhe për të bërë shumë në jetën e tyre. Dhe kam shumë besim që të gjithë së bashku ne që jemi sot këtu në këtë sallë mund të bëjmë akoma më tepër për t’i arritur ato objektiva dhe ky është premtimi im sot përpara të gjithëve ju.

E di që ky nder që po më bëhet sot në një farë mënyre më detyron që të marr pjesë në jetën politike të Shqipërisë, por dëshiroj t’ju siguroj që nuk kam ndonjë qëllim që të hedh kandidaturën për një zyrë publike në kohën e ardhshme. Faleminderit shumë”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›