E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi përshëndet ceremoninë “Një vit deri në Lojrat Olimpike ‘Londër 2012’”

27 korrik 2011

Sot pasdite, në ambientet e Pallatit të Brigadave, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi përshëndeti ceremoninë “Një vit deri në Lojrat Olimpike ‘Londër 2012’ të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë ku morëm pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, drejtues të Komitetit Olimpik Shqiptar, sportistë, etj.

Ceremonia zyrtare u çel nga Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, zonja Fiona Mekiluam, e cila pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë festë të rëndësishme të sportit të titulluar “1 vit deri në Lojërat Olimpike ‘Londër 2012’”, vlerësoi në mënyrë të veçantë mbështetjen e Kreut të Shtetit shqiptar, Bamir Topi, në organizimin e këtij aktiviteti - simbol i përfshirjes së të gjitha kombeve në një garë të bukur e konkurruese sportive. Ambasadorja Mekiluam theksoi në fjalën e saj: “Numërimi final ka filluar. Një vit i shquar me ngjarje sportive dhe kulturore në Britaninë e Madhe, do të përgatisë verën e ardhshme skenën për shfaqjen më të madhe në botë. Qysh nga sot dhe përgjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, ne duam të ndajmë vizionin tonë që sporti ka fuqinë për të hequr pengesat, që njerëzit të punojnë së bashku si të barabartë dhe se të gjithë duhet të kenë mundësi për të përdorur talentet e tyra të plota jo vetëm në fushën sportive, por në çdo rrugë të jetës.”

Më tej, ceremonia u përshëndet nga Kreu i Shtetit shqiptar, i cili u shpreh:

“E nderuara zonja Ambasadore!
Shkëlqesi Ambasadorë!
Zonja dhe zotërinj!

Padyshim që na e bëtë më të lehtë këtë natë sonte nëpërmjet komunikimit tuaj në mënyrë të përsosur në gjuhën tonë shqipe dhe për këtë dëshirojmë t’ju falenderojmë!

Për mua është një kënaqësi e veçantë që të jemi së bashku sonte në momentin kur fillon të numërohet viti përpara inaugurimit të ceremonisë së Lojrave Olimpike që do të zhvillohen në Londër. Londra vërtet konsiderohet tradicionalisht si kryeqyteti botëror i futbollit, por vitin që vjen Londra do të jetë edhe kryeqyteti botëror i Lojrave Olimpike. Ky është një ngjarje jo vetëm për londinezët dhe për britanikët, por është edhe një ngjarje evropiane. Kështu që unë besoj se edhe ne si shqiptarë kemi pjesë në të, sepse ndihemi jo vetëm pjesë fizikisht dhe shpirtërisht, por gjithnjë e më shumë ndihemi edhe zyrtarisht evropianë.

Ju në mënyrë shumë kuptimplotë i dhatë rëndësinë e duhur këtij momenti, i cili nuk është thjesht sportiv. Qysh nga kohërat e lashta të gjithë e dimë që sporti edukon. Sporti nuk është thjesht një kompeticion – sporti është pjesëmarrje. Sporti është motivim, sporti është edukim. Sporti ka qenë, është dhe bëhet gjithmonë e më shumë pjesë e njerëzve të qytetëruar, pjesë e jetës së qytetëruar të tyre. Unë nuk kam dyshim, ashtu sikurse të gjithë të pranishmit që Londra do të na ofrojë një spektakël të vërtetë dhe mesa jam i informuar, do të bëhet pikërisht në një zonë që të ofron shumë gjelbërim. Një zonë, e cila është transformuar dhe në traditën e saj mbetet gjithmonë e re.

Do të dëshiroja edhe një herë, në emrin tim personal, por edhe në emër të të gjithë popullit shqiptar t’i uroj Britanisë së Madhe suksese në këtë kompeticion të jashtëzakonshëm botëror, ku do të kemi shanse dhe mundësi që të shikojmë dy kompeticione njëri pas tjetrit: atë Olimpik dhe Paraolimpik! Sidomos në Britani, kemi parë që asgjë nuk të pengon edhe kur dikush ka hendikape të karakterit fizik, që të jetë njësoj si gjithë të tjerët. Pra është ajo shoqëri, është ai vend që të ofron së bashku me organizimin shtetëror, humanizmin, ofron mungesën e çdo lloj paragjykimi dhe besoj se ofron atë për të cilën ka nevojë e gjithë shoqëria moderne sot.

Dëshrioj që nëpërmjet këtij komunikimi publik si dhe nëpërmjet jush t’i dërgoj përshëndetjet më të mira Madhërisë së Saj, Kryeministrit Kameron, përfaqësuesve kryesorë të olimpizmit britanik! Mezi presim që numërimi mbrapsht të ecë me shpejtësi. Suksese!”

Aktiviteti vazhdoi me një lidhje të drejtpërdrejtë me televizionin ‘BBC’, nga ku është ndjekur transmetimi i ceremonisë së prezantimit nga Londra të Lojrave Olimpike 2012, e cila u përshëndet nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kameron si dhe nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rozhe.

Ceremonia me rastin e Lojrave Olimpike të vitit të ardhshëm u shoqërua me demonstrimin e një grupi të gjimnastikës artistike, ku në fund, në mënyrë simbolike, të pranishmit ndoqën edhe një xhiro me biçikleta të një grupi çiklistësh me flamurët shqiptarë, britanikë dhe olimpikë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›