E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti sot juristë dhe gjyqtarë me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

10 maj 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi organizoi sot një pritje në Presidencë, me rastin e “Ditës Kombëtare të Drejtësisë”, 10 majit, në përkujtim të datës kur akti i parë ligjor shqiptar u dekretua nga qeveria e Ismail Qemalit më 1913, në të cilën ishin ftuar me dhjetëra personalitete të shquara të drejtësisë shqiptare dhe të misioneve të huaja ligjore, që asistojnë sistemin tonë të drejtësisë.

Presidenti Topi, me cilësinë e Kryetarit të shtetit dhe të Kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi i falënderoi të ftuarit për praninë në ceremoninë me rastin e Ditës së Drejtësisë dhe për kontributin e tyre të vazhdueshën në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare, u shpreh:

“I nderuar zoti Kryetari i Gjykatës Kushtetuese,
E nderuar zonja Kryetare e Gjykatës së Lartë,
E nderuar zonja Prokurore e Përgjithshme,
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar përfaqësues të misioneve që i asistoni sistemit të drejtësisë në Shqipëri,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, gjyqtarë dhe prokurorë,

Është një kënaqësi e veçantë që të takohemi së bashku edhe një herë në 10 maj pikërisht për të përkujtuar një ngjarje të rëndësishme që ka të bëjë me drejtësinë shqiptare, përkujtimin e asaj dite të madhe që përkon me 10 majin e vitit 1913, ku nënshkruesit e Pavarësisë së Shqipërisë, etërit themelues të shtetit shqiptar vendosën të ndërtojnë bazat ligjore të funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Ne përkujtojmë sot këtë ditë historike jo vetëm si një moment të historisë, por edhe si një vendim politik edhe juridik, i cili konsiderohet si një pikë shumë e rëndësishme referimi për të gjithë historinë se si ka funksionuar sistemi i drejtësisë në Shqipëri në gjithë këto vite. Sigurisht që sistemi i drejtësisë në Shqipëri, në funksion të etapave, në funksion të kohës ka pasur progresin e tij, ka pasur traumat e veta, por sot mund të themi që jemi në një moment shumë të rëndësishëm të shtetit ligjor të Republikës së Shqipërisë, jemi në një moment shumë të rëndësishëm në kontekstin politik dhe institucional, në një moment kur Shqipëria jo vetëm është anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë, pra të NATO-s, por çdo ditë dhe më shumë bën progresin drejt familjes evropiane.

Në të gjithë këtë inkursion të gjatë të përpjekjeve madhore të institucioneve të Shqipërisë, patjetër që institucionet e drejtësisë kanë rolin e vet të shquar, rolin e vet të jashtëzakonshëm, pavarësisht nga progresi dhe pavarësisht nga ato mungesa, të cilat do t’i konsideroja si elementë të një rruge të ngjitjes.

Padyshim, çështja që lidhet me drejtësinë është një çështje mjaft komplekse, është një çështje që çdo ditë e më shumë vjen në vëmendjen e politikës, vjen në vëmendjen e analistëve, vjen në vëmendjen e opinionit publik, por unë do ta quaja patjetër një çështje të natyrshme të etapës ku është Shqipëria sot, ku të gjithë kërkojnë një rritje të profilit, të performancës të sistemit të drejtësisë, të gjithë kërkojnë drejtësi. Kjo kërkohet në radhë të parë nga qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tij, kërkohet nga institucionet që na monitorojnë, kërkohet nga të gjitha institucionet e Shqipërisë, të cilat e kanë pasur të domosdoshme që të jenë në një marrëdhënie funksionale midis tyre. Kështu që unë do të vlerësoja të gjitha përpjekjet e politikës, të cilat formalizohen në sallën e Parlamentit shqiptar, të cilat bëjnë përpjekje që legjislacioni në Shqipëri, edhe në funksion të institucioneve të drejtësisë të bëjë progres, të arrijë në ato standarde ku është drejtësia evropiane dhe ajo botërore më e mira, të marrë në konsideratë që sistemi i drejtësisë duhet ta fitojë pavarësinë nëpërmjet një legjislacioni model, të vendosë kushtet dhe parametra që gjyqtarët të futen në një linjë promovimi profesional, ku në bazë të parë të jetë jo vetëm profesionalizmi, por të jetë integriteti i çdo gjyqtari, i çdo prokurori. Kështu që pavarësisht nga debatet politike, pavarësisht nga këndvështrimet e ndryshme unë dhe jo vetëm unë, por besoj edhe ju shikoni që gjatë këtyre viteve ka patur një progres të pakontestueshëm edhe në klimën politike, edhe në vendimmarrjen parlamentare dhe në krijimin e legjislacionit të ri, sikurse ka edhe momente ku politika, institucionet duhet të bëjnë më shumë për të kompletuar legjislacionin, për ta bërë më të operueshëm sistemin e drejtësisë, për ta bërë më të ndërveprueshëm, ku përtej përgjegjësive, kompetencave duhet të jenë të ndara, por duhet të jenë dhe bashkëvepruese. Unë do të vlerësoja rolin e gjyqtarëve, rolin e prokurorëve pavarësisht se në një ditë përkujtimore notat negative duhet të jenë të kursyera. Por gjithësesi, gjithmonë ka nevojë tek gjithësecili, tek çdo institucion që të rritet performanca, të bëhet më shumë në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që ky term të mos konsumohet thjesht verbalisht, por duhet realisht të operohet në linja shumë serioze institucionale, bashkëvepruese ku të gjithë nivelet e ndryshme të gjyqësorit të jenë bashkëvepruese dhe jo kundërshtuese të njëra-tjetrës.

Unë do ju bëj atë thirrje që kam bërë vazhdimisht, që është një thirrje shumë principiale: Është e pamundur që në një shoqëri modern, njerëzit të mos kenë të drejtën të mendojnë dhe të orientohen në politikë. Do të ishte një thirrje shumë artificiale në rast se do jua bëja edhe juve këtë. Por në koshiencën e vet, pavarësisht bindjeve politike të gjithësecilit, të cilat midis jush duhet të jenë shumë private dhe të paekspozuara, duhet të dini të ndaheni nga politika në ushtrimin e profesionit tuaj. Kjo është shumë e rëndësishme. Por, politika nuk mbetet e vetmja pikë referimi që mund të influencojë në vendimmarrjet tuaja, sepse sot ka edhe një pushtet tjetër, që është pushteti financiar. Pra, duhet të dini, pa marrë leksione, sepse ju jeni vetë profesionistë dhe secili është koshient për ushtrimin e profesionit të tij dhe për të cilën unë kam besim absolut tek secili prej jush, duhet të dini të ndani në mënyrë të qartë pozicionin autonom që duhet të ketë pushteti i drejtësisë. Klima politike në një moment të caktuar mund të jetë e trazuar, mund të ketë debat politik, por kjo nuk duhet të trondisë kurrësesi themelet e pushtetit të drejtësisë, i cili duke u konsoliduar jo thjesht mbi bazën e realizimit të ligjeve të reja, por mbi bazën e performimit të vetë institucioneve, ku fatmirësisht kemi patur rastin të jemi të asistuar dhe vazhdojmë të jemi të asistuar nga misione shumë të rëndësishme profesionale, kemi rastin të jemi të asistuar nga figura të nderuara që na nderojnë edhe sot në këtë mjedis, jo për të mos bërë gabime, sepse sot jemi në një fazë kur gjërat janë më fine, duhet të dimë të rrisim performancën profesionale për të garantuar tek vetvetja, tek gjithësecili, tek sistemi pikërisht atë pavarësi që kërkohet sot nga publiku.

Duhet të kalojmë nga terminologjia e përgjithshme për të shkuar në interesin që është bazal, që është interesi i qytetarit. Këtë nuk e them thjesht për një pjesë njerëzish që e kanë mundësinë që ta gjejnë drejtësinë mbi bazën e njohjeve dhe relacioneve të ndryshme, por unë e them në funksion të çdo qytetari, pavarësisht ku ai jeton, pavarësisht se sa i rëndësishëm është ai në shoqëri, ne duhet ta kthejmë në themel të veprimtarisë tonë, duke filluar nga Presidenti i Republikës dhe tek secili gjyqtar, në çdo nivel të gjyqësorit që dhënia e drejtësisë është një atribut që i takon vetëm njerëzve të drejtësisë.

Juve, që jam i bindur se e ndjeni çdo ditë, përballeni nga sfida nga më të ndryshmet, por asnjëherë ju nuk duhet të humbni lirinë e veprimit etik dhe profesional. Duke iu referuar një gjyqtari amerikan Hent, ku ka një referencë që nga viti 1944, “liria nuk duhet të humbasë në zemrat e njerëzve, sepse për këtë nuk do i vinte dot në shpëtim as Kushtetuta dhe as ligji”. Pra, ne kemi referenca shumë të rëndësishme, kemi Kushetutën dhe ligjin, por ju duhet të demonstroni dhe duhet të keni në qenien tuaj lirinë e veprimit, lirinë e veprimit të drejtë, që do i japë më shumë nota pozitive sistemit të drejtësisë.

Unë edhe një herë pa e zgjatur këtë moment ceremonial i cili na ofron mundësinë për t’u takuar me njëri-tjetrin, për të ngritur një urim për të gjithë ata gjyqtarë që pavarësisht nga kushtet e veprimit kanë ditur të japin drejtësi. Uroj që në vitin që kemi përpara, që është një vit shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të mos harrojmë që një nga kriteret themelore ku shikohet Shqipëria, përtej kritereve të tjera politike dhe administrative, është realizimi i standardeve në dhënien e drejtësisë që presupozon një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës.

Me këtë urim unë dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve, t’ju uroj shëndet, t’ju uroj sukses, t’ju uroj patjetër një lloj bashkëpunimi i cili ka nevojë të realizohet dhe aty ku nuk ka qenë i realizuar, midis të gjitha niveleve të gjykatave, mes Prokurorisë dhe gjykatave dhe anasjelltas për të garantuar edhe një profil më të pranueshëm nga qytetarët shqiptarë, që sido që të jetë puna në momentin e fundit besimin e ka drejtësia.

Edhe një herë faleminderit dhe urime për këtë ditë!"

Në këtë pritje morën pjesë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, anëtarë të tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të Gjykatave të Apelit, prokurorë të rretheve, drejtues të Shkollës së Magjistraturës, të Dhomës së Avokatisë e të Noterëve, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›