E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer.

8 maj 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi pati sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë.

Kryetari i Shtetit në këtë takim shprehu kënaqësinë për këtë takim me z. Shefer, në këtë vizitë të tij të parën në Shqipërinë si vend anëtar me të drejta të plota i Aleancës së Atlantikut të Veriut. “Ne ju jemi mirënjohës ju personalisht dhe të gjithë vendeve aleate për këtë vendim, i cili realizoi ëndrrën dhe përpjekjet shumëvjeçare të popullit shqiptar, aspiratën e tij madhore për të qenë pjesë e kësaj Aleance të paqes dhe të sigurisë në botë”, - tha Presidenti Topi. Në vijim, Kreu i Shtetit vuri në dukje se ne jemi të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se “puna e vërtetë fillon tani për të përmbushur, ruajtur dhe konsoliduar të gjitha standardet e NATO-s, si dhe për të qenë të denjë, profesionalë dhe besnikë në kontributin tonë në kuadër të kësaj Aleance, në misionet e saj në botë”. “Një tregues i vullnetit dhe angazhimit tonë maksimal në këtë drejtim do të jetë dhe mbarëvajtja e suksesshme e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat ne besojmë që do të realizohen të lira, të ndershme, të drejta dhe të pakontestuara”, - nënvizoi Presidenti i Republikës.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer vlerësoi rëndësinë e mbajtjes në Shqipëri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, që do të ishte një tjetër element dhe një hap i sigurtë në të ardhmen evropiane të vendit.

Gjithashtu zoti Shefer i shprehu edhe njëherë Presidentit Topi dhe njëkohësisht Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare përgëzimet dhe urimet më të mira për pranimin e vendit tonë në Aleancën më të madhe politike dhe ushtarake në botë duke e konsideruar anëtarësimin e Shqipërisë si një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë së tij si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›