Presidenti Topi uron Presidenten e sapozgjedhur të Kosovës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, uron zonjën Atifete Jahjaga me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë të Presidentes së Republikës së Kosovës. Letra vijon si me poshte:
“E nderuara Zonja Presidente,
Është një nder dhe kënaqësi e veçantë t`ju uroj për zgjedhjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës!
Është një moment historik për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar që në krye të shtetit zgjidhet një grua me integritet të lartë profesional dhe tepër të respektuar.
Në emrin tim dhe të gjithë popullit shqiptar, uroj që të keni sukses të plotë në detyrën tuaj të lartë për të përballuar të gjitha sfidat që ka Republika e Kosovës drejt rrugës së përbashkët të integrimit të plotë euroatlantik!
Shpreh bindjen e plotë se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve tona do të zhvillohen e intensifikohen më tej në të gjitha drejtimet, në të mirë të kombit tonë dhe paqes e stabilitetit në rajon” theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.