Presidenti Trump pranon ftesën e Mbretit Charles III, do zhvillojë vizitën e dytë shtetërore në Britani

Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar zyrtarisht një ftesë nga Mbreti Charles III për t’u bashkuar me të dhe Mbretëreshën Camilla në një vizitë të paprecedentë të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar. Lajmi u komunikua nga Pallati Buckingham.
Në këtë udhëtim i cili do të realizohet nga 17-19 shtator, Trump do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Melania Trump ndërsa vendodhja për vizitën shtetërore është zgjedhur pikërisht Kështjella Windor pasi vendi tipik, Pallati i Buckinghamit, vijon t’i nënshtrohet rinovimeve.
Trump u prit nga Mbretëresha Elizabeth II gjatë vizitës së tij të parë shtetërore në vitin 2019 në mandatit e tij të parë në detyrë.
Tradicionalisht, presidentëve të mandatit të dytë nuk u ofrohet një vizitë shtetërore dhe në vend të kësaj janë ftuar për çaj ose drekë me monarkun.
Nuk ka ende një program të plotë, por si të gjitha vizitat e këtij lloji, ajo do të përfshijë një pritje të plotë ceremoniale dhe një banket shtetëror në Sallën e Shën Gjergjit në Kështjellën e Windsor.
Të gjithë anëtarët e lartë të Familjes Mbretërore do të jenë të përfshirë, përfshirë Princin dhe Princeshën e Uellsit, të cilët jetojnë në oborrin e kështjellës.
Presidenti francez Emmanuel Macron u prit nga Mbreti në Windsor javën e kaluar, duke shënuar herën e parë që një vizitë shtetërore mbahej në rezidencën Berkshire për më shumë se një dekadë.
Macron dhe gruaja e tij, Brigitte, morën pjesë gjithashtu në një procesion me karroca nëpër qytetin e Windsor.
Çdo vizitë nga një president amerikan sjell me vete sfida sigurie dhe programi i Trump nuk ka gjasa të përfshijë ngjarje që janë të hapura për publikun.
/rtsh.al/