E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Vuçiç: Unë e di se sa njerëz të papërgjegjshëm ka në Prishtinë

Një ditë pas takimit në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një konferencë për media ka dhënë detaje lidhur me takimin që ishte zhvilluar mes tij dhe Kurtit. Vuçiç konferencën e ka nisur me kërkesat e Serbisë për disa lokacione të dyshuara ku mund të ketë trupa të serbëve, por që, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje ende nga Prishtina.

“Ne kemi dërguar kërkesë për Koshare për zhvarrosje dhe nuk kemi marr asnjë përgjigje, kemi kërkuar që të kemi qasje edhe në Suharekë, Istog, Klinë, Mejë, Gjakovë për asnjë lokacion nuk kemi marrë përgjigje nga ana e Prishtinës. Shefi i delegacionit të tyre na ka thënë se nuk do të lejojmë që të kryhen zhvarrime pasi do të mendohet se shqiptarët kanë kryer krime ndaj serbëve. Kur kemi menduar se po merremi vesh kemi parë refuzim për shkak të Velko Odaloviq që ai duhet të largohet nga Komisioni dhe unë kam reaguar ashpër”ka thënë Vuçiç.

Më tej, Vuçiç ka shpalosur disa prej temave prej të cilave, sipas tij, i ka ngritur Kurti. Sipas tij, ai 10 herë radhazi e ka pyetur atë për njohjen e Kosovës.

“Shikoni se çfarë pyetje kanë ngritur. E para, 10 herë e ka përmendur fjalën pranimi i Kosovës duke pyetur kur, kur, kur do të ndodhë dhe ka marrë vetëm një herë përgjigje dhe të fuqishme ‘kurrë’. Ju kam thënë qe jemi shtet i pavarur dhe kemi qëndrimin tonë pa marrë parasysh që kemi marrëdhënie të mira me SHBA-në. Pastaj ka thënë se po armatosemi për shkak të tyre. Serbia si shtet i pavarur ka të drejtë të armatoset dhe të mbrojë popullin”, ka theksuar Vuçiç.

Vuçiç më tutje ka thënë se ndoshta edhe e ka fyer Kurtin kur i është përgjigjur për kryetarin e Komisionit, Veljko Odaloviç.

“Ndoshta nuk duhet të kisha reaguar në atë mënyrë, mbase e fyeva Kurtin, por unë u përgjigja në një mënyrë më brutale dhe nuk mund të them se u pendova, isha i befasuar që dikush mund të përdorte një fjalor të tillë”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë më tutje ka përmendur marrëveshjen e propozuar të Kurtit për paqen mes dy shteteve, por që, sipas tij, një marrëveshje të tillë mund ta nënshkruajnë vetëm dy shtete të pavarura.

Sipas presidentit të Serbisë, në dialog është krijuar një atmosferë e pamundur dhe dialogu në këtë formë është i pamundur.  “Nuk është mirë për ne sepse kjo mendjelehtësi mund të çojë në një përshkallëzim të situatës në Kosovë. Unë e di se sa njerëz të papërgjegjshëm ka në Prishtinë, të cilët mund të bëjnë lloj-lloj “mrekullish”. Andaj unë i bëj lutje bashkësisë ndërkombëtare që të kujdesen që të mos ndodhin incidente”, theksoi Vuçiç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›