E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Vuçiç thirrje Abazoviç që t’i bashkohet Ballkanit të Hapur

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka ftuar kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç që t’i bashkohet Ballkanit të Hapur në takimin që do të mbahet në qershor në Ohër. Po ashtu, Vuçiç shkruan në Instagram se është një mundësi e shkëlqyer që të diskutohen çështje dypalëshe me Abazoviç gjatë Forumit Ekonomik Botëror.

 “Edhe një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështje dypalëshe me Dritan Abazoviç gjatë Forumit Ekonomik Botëror, por edhe për ta ftuar edhe një herë që të bashkohet me ne në takimin e nismës së Ballkanit të Hapur në Ohër”, shkroi Vuçiç në një postim në Instagram.

Po ashtu, kryeministri Rama gjatë një konference të mbajtur në 28 prill me Komisionerin i Bashkimit Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i bëri thirrje Malit të Zi që t’i bashkohej Samitit për Ballkanin e Hapur, ndërsa theksoi se ftesën zyrtare i takon ta bëjë Maqedonia e Veriut.

“Ne do e riftojmë Malin e Zi, i takon kryeministrit të Maqedonisë së Verit ta bëj ftesën, se samiti i ardhshëm do të jetë në Ohër, dhe unë nga ana ime do bëj inkurajimin tim për Dritanin që të jetë në tryezë, ka qenë optimist ndaj kësaj nisme, por vjen Mal i Zi, Kosova, apo Bosnja,Ballkani i Hapur do të vijojë, të gjithë do vijnë një ditë, kush do vijë më vonë do ketë humbur më shumë”, shprehej Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›