E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton Buxhetin 2012

Një javë nga votimi i shumëdebatuar në Kuvend, buxheti i vitit 2012-të, ka marrë edhe “bekimin” e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Ligji për buxhetin 2012, do të hyjë në fuqi, 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Në këtë buxhet, qeveria parashikon pak më shumë se 350 miliard lekë shpenzime dhe një rritje ekonomike rreth 4 përqind. Zëri kryesor i shpenzimeve, edhe në 2012-n, do të jenë veprat madhore në infrastrukturë.

Gjatë procesit të votimit në Kuvend, 1 javë më parë, mazhoranca nuk nguroi të quajë këtë buxhet si një buxhet konservator që përmban shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve, megjithatë premtoi se rritja e pagave dhe e pensioneve do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, opozita kërkoi shkurtime më të forta, duke thënë se vendi rrezikon të tejkalojë kufirin ligjor të borxhit që është 60 përqind e GDP-së. Në mbështetje të kërkesës së opozitës kanë qenë edhe deklaratat e institucioneve financiare ndërkombëtare.

Banka Botërore ka bërë thirrje për ulje të shpenzimeve, sidomos të shpenzimeve për rrugët, në mënyrë që të mos preken investimet në shëndetësi dhe arsim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›