E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti serb kërkon përmirësimin e relacioneve me Tiranën

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i është përgjigjur pozitivisht portës së hapur nga Tirana zyrtare për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Dy javë pas deklaratës së Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për një ftesë zyrtare ndaj Tadiç për të vizituar Shqipërinë, ka reaguar kreu i Beogradit, duke dhënë një sinjal pozitiv, edhe pse nuk ka folur konkretisht për mundësinë e pranimit të ftesës. Gjatë një takimi vjetor me diplomatët serbë, Presidenti Tadiç ka deklaruar se vendi i tij synon marrëdhëniet sa më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, sepse kjo është parakusht për integrimet europiane. Ai ka theksuar se asnjë shtet nuk guxon të mbetet jashtë vëmendjes së politikës së jashtme të Serbisë, duke shtuar se kjo posaçërisht ka të bëjë me Shqipërinë.
"Mendoj se është e palejueshme që marrëdhëniet tona me Shqipërinë të lihen pasdore, siç ka qenë në dekadat e fundit. Serbia ka interes për bashkëpunim me Shqipërinë", ka thënë Tadiç në një konferencë me ambasadorët e Serbisë në Beograd. Për marrëdhëniet me Malin e Zi, Tadiç ka thënë se ato janë të mira, ndonëse Podgorica e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërsa për marrëdhëniet me Maqedoninë, ai ka thënë se Beogradi synon që me Shkupin të zgjidhë jo vetëm raportet që kanë të bëjnë në domenin e shteteve, por edhe për çështjen e pozitës së kishave. Dy javë më parë, në prezencën e një delegacioni të serbëve të Kosovës në Tiranë, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar publikisht ftesën për të vizituar Tiranën për Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç.
Kryeministri Berisha deklaroi më 23 dhjetor se mirëpret vizitën në Tiranë të Presidentit serb, Boris Tadiç, dhe se qeveria po punon konkretisht për realizimin e kësaj vizite që përbën në fakt një eveniment historik, pasi asnjëherë një kryetar i shtetit të Serbisë nuk e ka vizituar Tiranën. Berisha është shprehur se takimet e tij me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, janë shumë të shpeshta gjatë aktiviteteve ndërkombëtare dhe ajo çka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se “Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t’ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Ndërkaq, kreu i qeverisë ka pasuar qëndrimin e shefit të diplomacisë, Ilir Meta, për financimin e ndërtimit të serbëve të Kosovës. Berisha madje ka bërë të ditur edhe shumën e ndihmës së qeverisë shqiptare, e cila arrin shifrën e 400 mijë eurove, që do të përdoret në Komunën e Graçanicës, shifër të cilën Kryeministri shqiptar e ka cilësuar “modeste”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›