E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidentja Osmani në Forumin Evropian: Anëtarësimi i shpejtë në NATO, prioritet strategjik për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Evropian të mbajtur në Austri, vuri theksin te nevoja urgjente për anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga përparësitë kryesore strategjike të vendit.

Në diskutimet e fokusuara mbi hapat e Kosovës drejt së ardhmes dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon, Osmani evidentoi rolin kritik të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Anëtarësimi në NATO është thelbësor për Kosovën. Sa më shumë territore të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e kësaj aleance, aq më të sigurta do të jenë ato,” deklaroi Osmani. Ajo shtoi se Kosova mund të japë kontribut të rëndësishëm në NATO, jo vetëm përmes burimeve njerëzore, por edhe përmes aftësive në fushën e mbrojtjes. Presidentja nënvizoi se Kosova po punon intensivisht për të fuqizuar kapacitetet e saj ushtarake, duke përfshirë modernizimin e armatimit dhe trajnimin e ushtarëve.

“Ne po investojmë shumë në industrinë tonë të mbrojtjes dhe kemi njerëz të aftë për të kontribuar në sigurinë e përbashkët. Për një vend si Kosova, që ende përballet me sfida sigurie, është jetike të edukojmë brezin e ri se liria dhe demokracia nuk janë kurrë të garantuara dhe kërkojnë përpjekje të vazhdueshme,” tha Osmani.

Duke reflektuar mbi historinë e Kosovës, presidentja rikujtoi mbështetjen e aleatëve të NATO-s gjatë luftës së fundit në vend, e cila ndihmoi në ndalimin e gjenocidit.

Ajo theksoi se integrimi në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë e Kosovës, por edhe do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Osmani përsëriti angazhimin e Kosovës për të përmbushur standardet e nevojshme për anëtarësim, duke e cilësuar këtë proces si një hap vendimtar për të ardhmen e vendit dhe të Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›