E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentja Shiroka Pula viziton familjet e ish-krerëve të UÇK-së, shprehu mbështetjen institucionale në përpjekjet për drejtësi

PRISHTINË, 13 tetor/ATSH/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, sot ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Sipas njoftimit, gjatë këtyre vizitave, Presidentja shprehu solidaritetin me familjet, duke theksuar se kjo është një periudhë e vështirë për to dhe për Republikën e Kosovës.

Presidentja Shiroka Pula ritheksoi se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë ish-krerët e UÇK-së në këtë fazë, në përputhje me përgjegjësitë dhe mundësitë institucionale.

Sipas presidentes Shiroka Pula, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës, dhe se mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit mbetet e rëndësishme.

Në këto takime, Presidentja i informoi familjet se, në përputhje me afatet ligjore, do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe se Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, citohet presidentja Shiroka Pula.

/a.f/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›