Prezantohet Akademia e Vetëqeverisjes Vendore, ministri Demo: Ditën e sotme e kemi si një ditë martese

Këtë të enjte, 18 dhjetor, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo prezantoi Akademinë e Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore.
Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se përfaqësuesit e pushtetit vendor do të kenë të gjithë “Akademinë si një platformë e cila do i ndihmojë bashkitë për secilin nga objektivat që duhet të arrijmë”.
Ai shtoi se “Akademia ka një potencial të jashtëzakonshëm” dhe se do të jetë një “platformë shumë pozitive”, që do t’u vihet në dispozicion kryetarëve të bashkive, përfaqësuesve të tjerë të pushtetit vendor si dhe qytetarëve.
“Do të ofrojë qëndrueshmërinë e të gjithë asistencës për pushtetin vendor”, deklaroi Demo.
Mes të tjerash gjatë fjalës së tij, Demo shprehu falënderimet për përfaqësuesit e Ambasadave, duke nisur nga ajo e Zvicrës, Ambasada Suedeze dhe e Holandës, që e kanë mbështetur këtë nismë.
“Punët e mira nuk bëhen vetëm dhe për të gjitha sfidat që ne flasim, nuk duhet të harrojmë qytetarët, banorët e çdo bashkie që duhet të jenë në dijeni të nismave për pushtetin vendor, duhet të jenë në dijeni të sfidave dhe të jenë më të qartë për shërbimet që ata kërkojnë. Ditën e sotme e kemi si një ditë martese, kemi një kontratë për të firmosur me kryetarët e bashkive e të qarqeve. Dua të falënderoj kryetarët e të gjitha bashkive… Dhe jam i bindur që nuk ka asnjë arsye që ne këtë të mos ta kthejmë në një histori suksesi”, deklaroi ai.