Prezantohet Kodi i Sjelljes dhe Plani i Integritetit për administratën e Kuvendit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) organizuan një takim prezantues për Kodin e Sjelljes dhe Planin e Integritetit për administratën e Kuvendit të Shqipërisë.
Takimi u moderua nga Sotiraq Hroni, drejtor ekzekutiv i IDM-së dhe në të morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, staf i administratës së Kuvendit, përfaqësues të ambasadës suedeze në Tiranë, etj.
Takimi u përshëndet nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj dhe Niklas Ström, ambasador i Suedisë në Shqipëri.
Në fjalën e tij Gjonçaj parashtroi se miratimi i Kodit të Sjelljes dhe Planit të Integritetit për administratën e Kuvendit të Shqipërisë shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e integritetit në administratën publike dhe se për hartimin e tyre janë marrë modelet dhe praktikat më të mira të parlamenteve të vendeve të rajonit dhe BE-së.
Gjonçaj theksoi se këto dy dokumente strategjike administrative synojnë të sigurojnë standarde të larta të sjelljes profesionale dhe integritetit të administratës së Kuvendit, duke promovuar pavarësinë dhe besueshmërinë në shërbimin ndaj qytetarëve.
Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström vlerësoi bashkëpunimin e mirë me Kuvendin, si dhe punën e bërë për hartimin e dy dokumenteve duke i cilësuar një hap i rëndësishëm dhe i dobishëm për pasjen e një administrate profesioniste dhe frymëzuar kulturën e integritetit dhe antikorrupsionit.
Më pas Erjon Muharremaj dhe Eralda (Met’hasani) Çani prezantuan për pjesëmarrësit shtyllat kryesore të Kodit të Sjelljes dhe Planit të Integritetit për administratën e Kuvendit të Shqipërisë, punën e bërë nga ekspertët dhe Administrata e Kuvendit për hartimin e tyre, objektikat strategjikë që përmbajnë për përmirësimin e integritetit të institucionit, etj.
1 nga 3
/r.e/