E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet Raul, dy copa qymyri për yllin spanjoll

I rrethuar nga katër flamuj të mëdhenj të ekipit të Shalkes, Raul Gonzales shkeli mbi një tapet blu në praninë e 1000 fansave, një pjesë e të cilëve kanë tundur edhe flamur spanjollë.

“Është një ditë e veçantë. Sot përfunduan zyrtarisht 16 vjet me Realin e Madridit, Shalke është një sfidë e re”, - tha Raul, i cili përshëndeti transferimin e tij spektakolar në Gjermani. “Bundesliga ka qenë gjithmonë shumë interesante, si një ligat europiane më të forta në Europë. Këtu ofrohet një futboll shumë tërheqës”.

Trajneri dhe menaxheri i Shalkes, Feliks Magat, tha për sulmuesin spanjoll, i cili edhe me “qymyrxhinjtë” gjermanë do të mbajë në fanellë numrin shtatë. “Ne mund t’u prezantojmë tifozëve tanë një nga lojtarët më të mirë në botë. Me cilësinë e tij, me sukseset dhe personalitetin e tij, ai do të jetë një fitues te Shalke”.

Gjatë prezantimit të Raulit, dy minatorë i dhuruan atij një copë qymyr, ndërsa në ekranin e stadiumit një video shfaqte golat më të bukur të tij, që ai kishte shënuar gjatë karrierës 16-vjeçare me Realin e Madridit.

“Objektivi ynë duhet të jetë, që të luftojmë për të qenë kampion në Bundesligë”, - tha Raul përpara 150 gazetarëve. “Në Ligën e Kampioneve do të jetë e vështirë, por ne dëshirojmë ta kalojmë fazën e grupeve. Do të jetë një sezon i pasur për Shalken”.

Në lidhje me zërat se kishte një klauzolë në kontratë, se Raul nuk i lejohej të luante kundër ish-klubit të tij, si Rauli ashtu dhe Magat e përgënjeshtruan. “Nuk ka asnjë klauzolë të tillë në kontratë. Ai mund të luajë kundër Realit, madje edhe nëse do të takohemi në finale ai do t’u shënojë atyre”, - tha Magat.

Të martën në mbrëmje, Raul nënshkroi me Magatin një kontratë dyvjeçare, ndërkohë që stërvitja e parë e spanjollit pas kalimit me sukses të kontrollit rutinë mjekësor u ndoq nga 5000 fansa.

Raul mund të debutojë të shtunën në një ndeshje kupe kundër Hamburgut. Ylli i sulmit, i cili mbërriti në Gjermani në parametra zero do të përfitojë rreth gjashtë milionë euro në vit, ku një të tretën do ta paguajë ish-klubi i tij.

Raul është një nga golashënuesit më të mirë në botë dhe rekordmen te Reali i Madridit, për të cilin shënoi 228 gola në 550 ndeshje në Ligën spanjolle dhe 66 gola në Ligën e Kampioneve.

Babai i pesë fëmijëve luajti qysh nga viti 1992 me Realin e Madridit dhe gjatë karrierës së tij nuk ka marrë asnjë karton të kuq apo të verdhë-kuq.

Në sezonin e kaluar në Primera Divizion, Raul Gonzalos Blanko nuk ishte zgjedhja e parë, megjithatë, ai luajti 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Megjithatë ai nuk e ka plotësuar akoma qëllimin e tij të madh: ai do të bëhet shënuesi më i mirë në histori në kupat e Europës. Deri tani ka shënuar 68 gola, po aq sa italiani Filipo Inzagi.

Raul ka qenë gjashtë herë kampion në Spanjë, fitoi në vitin 1998, 2000 dhe 2002 Ligën e Kampioneve si dhe në vitin 1998 dhe 2002 Botërorin e klubeve. Vetëm një titull i madh me Kombëtaren spanjolle i mungon atij. Në fitimin e Kampionatit Europian të vitit 2008, Rauli (102 ndeshje me përfaqësuesen) nuk ishte në grupin e lojtarëve. Por megjithatë, asnjë lojtar spanjoll deri tani nuk ka shënuar më shumë gola se ai: 44.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Merkure, 28 Korrik 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›