Prezantohet koncepti i ri për Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, Gonxhja: Një hapësirë moderne për historinë e kombit

Në Vlorë është prezantuar koncepti i parë arkitektonik, muzeologjik dhe identiteti i ri vizual për Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, në kuadër të projektit të restaurimit dhe rimuzealizimit të këtij institucioni me rëndësi të veçantë historike për Shqipërinë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ekipi përgjegjës për linjën muzeore prezantuan idetë e para për transformimin e muzeut.
Sipas ministrit Gonxhja, ky proces konsultimi është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një muzeu modern, që ruan autenticitetin e vendit ku u hodhën themelet e shtetit shqiptar dhe që e sjell historinë e Pavarësisë më pranë brezave të rinj.
“Projekti i ri parashikon ndërhyrje restauruese dhe konservuese në godinën historike, si dhe një rikonceptim të plotë të mënyrës së paraqitjes së historisë dhe koleksioneve muzeale. Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me pasurimin e linjës muzeore, përmirësimin e mënyrës së interpretimit të objekteve, përfshirjen e elementeve të digjitalizimit, si dhe krijimin e një identiteti të ri vizual, branding-ut dhe produkteve simbolike të muzeut”, shkruan Gonxhja.
Koncepti arkitektonik propozon gjithashtu ndërtimin e një volumi të ri me hapësira multifunksionale, të cilat do të shërbejnë për aktivitete kulturore, edukative dhe ekspozuese.
Në takim ishin të pranishëm Prefektja e Qarkut Vlorë, ekspertë të trashëgimisë kulturore, historianë dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Diskutimet u përqendruan te vlerat historike dhe simbolike të këtij objekti, i cili lidhet drejtpërdrejt me momentin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe me historinë kombëtare.
/rtsh.al/