E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantuesja televizive mes 12 personave të dënuar me vdekje në Egjipt, akuzohet për trafik droge

Prezantuesja televizive egjiptiane Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me varje, pasi u shpallën fajtorë për akuza të lidhura me drogën.

Sipas gazetës shtetërore egjiptiane Al-Ahram, ata ishin pjesë e një bande kriminale që importonte lëndë të para të përdorura për prodhimin e drogës, me qëllim shitjen e saj.

Ata posedonin gjithashtu armë dhe municione të paligjshme.

39-vjeçarja, njihet më së shumti për programin e saj televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje të lidhura me krimin. Ajo i ka mohuar akuzat.

Nëntë të bashkëpandehur janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë të tjerë janë shpallur të pafajshëm.

Avokati i Khalifas tha se ajo do të apelojë dënimin me vdekje, vendim që u shpall muajin e kaluar.

Megjithatë, ai u konfirmua vetëm një muaj më vonë, pasi gjykata mori një opinion fetar nga myftiu i madh i Egjiptit, një kërkesë ligjore në rastet e dënimeve me vdekje.

Gjatë gjyqit, gjykata dëgjoi se autoritetet kishin sekuestruar më shumë se 750 kg lëndë narkotike dhe lëndë të para të importuara për prodhimin e tyre.

Njëzet dëshmitarë kishin dhënë deklarata para prokurorëve, raportoi Al-Ahram, përveç provave elektronike që përfshinin biseda dhe videoklipe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›