Prifti rimerr aksionet e Fortis, banka i bllokon dy shtëpi
Ish-ministri blen shtëpi 63 milionë lekë të vjetra dhe garazh 50 mijë euro, fiton 250 milionë lekë
BLEDAR HOTI
Familjes së ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i janë bllokuar dy shtëpi, si rezultat i garancisë së kredisë. Në deklaratën e pasurisë së publikuar nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, rezulton se bankat i kanë bllokuar dy shtëpi, ku njëra i ka kushtuar familjes Prifti 62 900 000 lekë. Ky apartament është në bashkëpronësi të Dritan dhe Meri Priftit. Kredia e marrë më datën 1 shtator 2011 është shkaku i bllokimit. Gjithashtu familjes Prifti i është sekuestruar edhe shtëpia tjetër e lënë si garanci, kolateral. Ai nuk mund ti shesë deri në 2021 pa shlyer kredinë e marrë. Bashkëshortja e ish-ministrit, Meri Prifti, ka blerë një shtëpi tjetër në një vlerë 135 mijë euro, të cilën e ka totalisht në pronësi të saj. Gjatë vitit 2011, familja Prifti ka blerë një garazh në një vlerë 50 mijë euro. E veçanta është se garazhi në bashkëpronësi është ende pa hipotekë. Deputeti tashmë pa parti, Prifti, ka deklaruar se nga paga vjetore si deputet ka përfituar shumën prej 2 262 953 lekë të reja. Bashkëshortes së Priftit i janë pakësuar llogaritë bankare gjatë vitit të kaluar në 18 000 euro dhe 19 999 dollarë amerikanë. Sipas deklaratës së pasurisë së Meri Priftit, rezulton se vazhdon të paguhet kredia e marrë në shumën e 500 mijë eurove për 20 vite, deri më 21.07.2031, me një këst mujor 3871 euro. Deri në vitin e kaluar, Prifti ka shlyer 19 365 euro dhe i kanë mbetur pa paguar 480 635 euro. Gjithashtu ajo ka edhe një pakësim të parasë cash në një vlerë prej 100 mijë eurosh.
Kompania Fortis
Në deklarimin e pasurisë të bie në sy se familja Prifti ka rimarrë aksionet e firmës Fortis 2, shpk. Sipas deklaratës së pasurisë të vënë në dispozicion nga ILKDP-ja, rezulton se Meri Prifti, dikur aksionere e Fortis 2 shpk, ka prishur kontratën e shitjes së aksioneve, duke përfituar rreth 2.5 miliardë lekë të vjetra pasuri. Prishje të kontratës së shitjes së aksioneve Fortis 2 shpk dhe rikthimin e tyre me akt marrëveshjen e datës 25.01.2011, thuhet në deklaratën e pasurisë. Meri Prifti zotëron 30.05% të aksioneve, sipas të dhënave të QKR-së, Fortis 2 shpk ka pesë ortakë gjithsej dhe ka një kapital që shkon në një vlerë në 793.011.550,00 lekë. Ndërsa në deklaratën e vitit të kaluar, Prifti nga shitja e aksioneve kishte përfituar 350 mijë euro. Pikërisht mënyra e shitjes së aksioneve Fortis 2 shpk u bë në atë kohë objekt i debatit politik. Opozita asaj kohe denoncoi ministrin e atëhershëm të Ekonomisë se kishte kryer transaksione të dyshimta. Vetë Prifti në media i cilësoi si të pavërteta këto akuza të lëshuara nga opozita. Kur u krijua kompania Fortis 2 së bashku me ortakun nga Fieri, u vendos që ai të kishte shumicën e aksioneve dhe të vinte në dispozicion të kompanisë tokën prej 27 ha të fabrikës së tij të vjetër dhe një shumë mbi 1 milion euro si kontribut, kurse unë si aksioner i pakicës duhet të gjeja një kredi deri në 5 milionë euro për të blerë fabrikën e re. Ai vuri tokën dhe paratë, unë gjeta kredinë, në fillim 3.5 milionë euro nga NBG dhe më vonë 1.5 milionë nga Tirana Bank. Ne të dy ndamë kontributet, pra ai tokën, (ish-fabrika e tullave) që e kishte vetë dhe rreth 1 milion euro, dhe unë duhet të siguroja kredinë e bankës. Në kompani janë kapitalizuar 5 milionë euro kredi, 27 hektarë tokë që vlen mbi 3 milionë euro dhe mbi 1 milion euro të vendosura nga ortaku. Për shkak të mungesës së parave në kompani u futën edhe 2 ortakë të rinj që kontribuuan rreth 800 000 euro. Kapitali i kompanisë duhet të jetë mbase nga 5 deri 8 milionë euro sot. Bashkëshortja ime ka ndjekur punët aty dhe unë skam pasur kohë të merrem me detaje, deklaroi kohë më parë Prifti, i cili kishte shitur 30.5% të aksioneve, sepse ishte bërë ministër. Deklarata e deputetit Prifti u bë edhe objekt i hetimit të ILDKP-së në atë kohë, institucion që kërkoi verifikimin e pasurisë. Për këtë ILDKP-ja iu drejtua edhe prokurorisë për çështjen e këtyre aksioneve.
Aksionet - Aksionet u shitën në vitin 2010, kur Prifti u bë deputet dhe më pas ministër i Ekonomisë. Te Fortis 2 shpk ish-ministri zotëronte 30.5% të aksioneve. Tani Prifti i merr sërish aksionet që shkojnë në vlerë rreth 2.5 miliardë lekë të vjetra
62.3 milionë - Kaq është vlera e njërës shtëpi të sekuestruar ndaj familjes Prifti për kredinë e marrë
Socialisti
Tom Doshi fal 11.740 metër katrorë tokë bujqësore
Deputeti i PS-së, Tom Doshi, i akuzuar nga mazhoranca si një nga miliarderët e opozitës që bllokon heqjen e imunitetit, ka falur gjatë vitit të kaluar 11.740 metër katrorë tokë në zonën e Marikës, Vorë. Në deklaratën e pasurisë rezulton se toka i është dhuruar shoqërisë Aldosch shpk. Ajo ka një vlerë në 115 394 200 lekë të reja. Në deklaratë bëhet e ditur gjithashtu se Doshi gjatë vitit të kaluar ka shkëmbyer një sipërfaqe toke arë 3500 metër katrorë me një sipërfaqe tokë truall 1500 metër katrorë, si dhe të një objekti industrial me shoqërinë Prodental Farma. Doshi aktualisht zotëron 1500 m2 në rrugën Qemal Stafa. Paga dhe shpërblime si deputet Doshi ka përfituar 1 423 119 lekë, ndërsa bashkëshortja ka përfituar 1 504 554 lekë pagë.
Prifti rimerr aksionet e Fortis, banka i bllokon dy shtëpi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip