E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princi Leka drejt altarit, fejsa me 16 qershor në Paris

Trashëgimtari i familjes mbretërore shpall zyrtarisht fejesën me Elia Zaharian, aktore dhe këngëtare

Një dasmë mbretërore. Nuk do tu shpëtojë as Shqipëria këtyre përrallave të bukura që ngjallin kureshtje në vendet me mbretëri, por edhe në vendet republikë, që kanë në trashëgimitë e tyre familje mbretërore. Princi Leka, nipi i Ahmet Zogut, mbretit të parë dhe të vetëm shqiptar, do të shpallë zyrtarisht fejesën me të dashurën e tij, Elia Zaharia, vajza e aktores Yllka Mujo dhe vetë aktore e këngëtare. Fejesa do të bëhet në Paris dhe për këtë do të ketë edhe një konferencë shtypi nga Pallati Mbretëror, pasi familja trashëgimtare mbretërore vazhdon të jetojë sipas rregullave të vjetra të familjes, duke u kushtuar vëmendje të madhe martesave. Lajmin për hapin e madh, që i paraprin një martese të mëvonshme, e bëri të ditur vetë Princ Leka për gazetën standard. I përshtatur tashmë me jetën në Shqipëri, edhe pse vazhdon të ketë atë pamjen e një djaloshi të huaj, Leka disa ditë para fejesës ishte i pranishëm në një aktivitet shkencor për Matin, qytetin e origjinës së tij dhe vendlindja e Mbretit Zog. I lidhur ngushtë me çdo gjë që ka të bëjë me Matin, ai nuk mund të mungonte në një aktivitet të tillë, ku më së shumti historianë të pranishëm folën për rolin e Ahmet Zogut në ndërtimin e shtetit ligjor shqiptar dhe vendin që i takon në histori. I pyetur nga gazeta nëse do të kurorëzohet me martesë lidhja e bërë publike tashmë me Elian, Princ Leka tha se do të ketë një fejesë zyrtare më datë 16, do të zhvillohet në Paris. Por nuk do të jetë një sekret, madje do të ketë dhe një konferencë për shtyp nga Familja Mbretërore. Elia prej më shumë se një viti ishte një vizitore e shpeshtë në shtëpinë dykatëshe që ndryshe quhet Pallati Mbretëror pranë kinema Mileniumit. Në këtë shtëpi banojnë vetëm dy burra, ai dhe i ati, trashëgimtari i fronit mbretëror Leka I.

Princ Leka në një intervistë dhënë disa kohë më parë për gazetën standard ka folur edhe për marrëdhënien e tij me Elian dhe për prishjen e traditës së familjes për martesën me gra joshqiptare, portretet e të cilave janë shumë të shtrenjta për familjen. Leka thotë se nuk ekziston asnjë traditë në familjet mbretërore për këtë çështje. Unë jam shumë i lumtur me lidhjen time me Elian. Jemi shumë mirë bashkë. Pavarësisht se jeton në shekullin XXI, Princ Leka do të duhet të ndjekë ligjet me të cilat Familja Mbretërore ka vepruar kur vendi ishte mbretëri. Megjithëse ai i ka shpëtuar një klauzole mjaft të sikletshme, nuk do të duhet të marrë miratimin e Parlamentit, i mjafton vetëm miratimi i të atit. Princ Leka tregon se ekziston një ligj për statusin, i vitit 1928, sipas të cilit duhet të ketë një miratim nga Parlamenti, që në kushtet aktuale është pak e vështirë. Unë personalisht patjetër duhet të marr miratimin e Mbretit, nuk mund të kem ndonjë lidhje pa miratimin e Mbretit. Njëkohësisht, dimë që për kohën atëherë nuk mund të bëjmë paragjykime, janë disa ligje që mund të kuptohen. Në kohën kur Mbreti Zog ka qenë në pushtet, nuk mund të martohej me një vajzë nga një shtet fqinj me një shtet shqiptar. Mund të kishte pasoja politike. Por ai nuk e sheh veten të ndryshëm nga të rinjtë e tjerë dhe në këtë prizëm edhe martesën e tij nuk e sheh si një problem. Unë kam një fat që familja ime më mbështet krejtësisht për zgjedhjet që bëj. Derisa babai im dhe gjyshi im janë martuar me dashuri... derisa jemi një familje moderne, Familja Mbretërore është krijuar në 1928 dhe nuk ka atë traditën e vjetër, - thotë ai. Gazeta boton dhe foto private me lejen e Princ Lekës, ku ai dhe e fejuara e tij, Elia, kanë dalë gjatë vizitave në fshatin Burgajet të rrethit Mat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›