Prishja e rrugës në Portugali, Rama bën ironi: Mirë opozita portugeze është në gjumë, por…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbrëmjen e kësaj të mërkure pas kritikave të opozitës lidhur me bllokimin e aksit Librazhd-Prrenjas që prej të shtunës, si pasojë e rrëshqitjes së dherave në zonën e quajtur Arrat e Gurrës.
Rama ka ndarë në rrjetin social X një video nga Portugalia, e cila gjithashtu po përballet me një situatë të vështirë për shkak të erozionit.
Në video shihet një rrugë e çarë totalisht dhe kryeministri shqiptar shprehet me ironi se është çudi që opozita nuk e ka dërguar ende në SPAK.
Reagimi i Edi Ramës:
Çudi e madhe, në Portugali ka ndodhur kjo nga të njëjtat fenomene, po s’po e marr vesh se mirë opozita portugeze është në gjumë, mirë edhe ato pak tenxhere mediatike të Portugalisë janë me temperaturë të ulët e s’ka vend për gjithë këtë rrugë të re, po si ka mundësi që opozitat e këtushme nuk e kanë denoncuar akoma në SPAK këtë vepër të korrupsionit dhe si është e mundur që 700 tenxheret e flakta të mexhelisit tonë mediatik, nuk kanë thirrur gjithollogët e tyre që të jashtënxjerrin faktet e tmerrshme që fshihen nën asfaltin e këtij korrupsioni qeveritar, ku padyshim është dora e narkoshtetit shqiptar!