E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina: Për RTK-në, kongresi i partisë më i rëndësishëm se jeta e nxënësve

Komuna e Prishtinës e cila udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një deklarate për shtyp ka akuzuar televizionin publik RTK se ka injoruar fatkeqësinë kombëtare të aksidentimit të nxënësve, duke i dhënë përparësi transmetimit të kongresit të Partisë Demokratike.

Për Komunën e Prishtinës, aksidentimi i autobusit me rreth 60 nxënës dhe arsimtarë të Shkollës së Muzikës ‘Prenk Jakova’ në Prishtinë, që ndodhi të shtunën, paraqet një fatkeqësi kombëtare dhe “të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe mbarë Kosovës i kishin sytë kah këta fëmijë dhe luteshin e uronin që nuk kishte ndodhur më e keqja”.

“Në momentin kur të afërmit dhe qytetarët e tjerë të Kosovës pritnin të merrnin lajmin detal në lajmet qendrore të ditës në televizionin e tyre publik RTK, se sa prej fëmijëve janë lënduar, sa rëndë janë lënduar dhe kush janë të lënduarit, RTK vendosi të transmetoj drejtpërdrejt kongresin e partisë në pushtet. Për më tepër, edhe kur emisioni i lajmeve filloi me shumë vonesë, qytetarëve iu servua kongresi i partisë në pushtet. Sipas politikës redaktuese të RTK-së, fatkeqësia kombëtare ku aksidentohet autobusi me 60 fëmijë, nuk merituaka të transmetohet para kongresit të partisë në pushtet”, thuhet në deklaratë, transmeton Express.

Komuna e Prishtinës shpreh indinjatën e thellë për këtë politikë redaktuese të RTK-së.

“Komuna e Prishtinës pret që RTK të kryejë misionin e tij si televizion publik në shërbim të qytetarëve dhe publikut, e jo në shërbim të partive politike dhe pushtetit. Qytetarët e Kosovës e njohin RTK si televizion publik, e jo televizion shtetëror që vihet në shërbim të pushtetit”, thuhet në deklaratë.

Komuna e Prishtinës përkujton RTK-në se po shpenzon 8.2 milion euro taksa të qytetarëve të varfër të Kosovës për të qenë në shërbim të tyre.

Komuna e Prishtinës i bën thirrje Kuvendit të Kosovës të mbikëqyrë se si po keqpërdoren këto mjete nga RTK me këtë politikë redaktuese, që është jashtë çdo etike profesionale dhe në kundërshtim me qëllimin e themelimit dhe funksionimit të RTK-së si televizion publik./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›