E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina kërkon investime Saudite/ Përparim Rama pret princin saudit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim princin saudit Abdulaziz Al Saud. Në fokus të bisedimeve kanë qenë investimet e mundshme dhe zhvillimi i projekteve të mëdha në kryeqytetin e Kosovës. Rama e prezantoi Prishtinën si një platformë të favorshme për biznes dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me investitorët sauditë.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur në takim, Princin saudit Naif bin Abdullah bin Saud bin Abdulaziz AlSaud, nga Mbretëria e Arabisë Saudite, në  fokus të vizitës  kanë qenë mundësitë për projekte të mëdha dhe bashkëpunim ekonomik.

Rama e ka cilësuar Kosovën dhe veçanërisht Prishtinën si një platformë të përshtatshme për biznes, duke i bërë të qartë investitorit saudit gatishmërinë për të lehtësuar zhvillimin e projekteve.

PËRPARIM RAMA: “Prishtina, Kosova, është një platformë e shkëlqyer për të bërë biznes për shumë, shumë arsye. Ne duam të çojmë përpara projekte në shkallë të gjerë, të cilat e dimë se do ta kishim shumë të vështirë t’i bënim vetë, por me ju ato do të ecin lehtë dhe shpejt.”

Rama tha se synimi është krijimi i marrëdhënieve të qëndrueshme me bizneset dhe investitorët nga Arabia Saudite, duke e parë këtë vizitë si mundësi për të afruar dy vendet edhe përmes ekonomisë.

PËRPARIM RAMA: “Ka shumë mundësi që mund t’i shkëmbejmë. Shumë mundësi për t’i afruar vendet tona, për të bashkuar njerëzit tanë, për të bashkuar komunitetin tonë të biznesit. Mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi.”

Nga ana e tij, Princi është shprehur i lumtur për vizitën në Kosovë, duke thënë se ka mbetur i impresionuar nga vendi dhe njerëzit.

Vizita hap kështu diskutimin për investime të mundshme saudite në Kosovë, ndërsa Prishtina synon që interesi i biznesmenëve të huaj të përkthehet në projekte konkrete dhe në shkallë të gjerë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›