Prishtinë, PDK e LDK arrijnë marrëveshjen për qeverinë
Partia Demokratike e Kosovës njoftoi dje se është arritur përfundimisht marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës për koalicionin qeverisës. Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, ka konfirmuar dje për radion Europa e Lirë, se tani pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes. Limaj ka cituar të mandatuarin për postin e kryeministrit, kryetar i PDK-së, Hashim Thaçin, të ketë thënë se koha e nënshkrimit të marrëveshjes do të caktohet nga vetë kryetarët e PDK-së dhe LDK-së - pra nga Thaçi e presidenti Fatmir Sjediu. Në bazë të marrëveshjes së arritur, në seancën e Kuvendit të Kosovës të mërkurën, më 9 janar, pritet të votohen në paketë organet e Kuvendit - kryetari dhe kryesia, Kabineti i qeverisë si dhe të rivotohet presidenti i Kosovës, bën të ditur Europa e Lirë.
Një ditë më parë Partia Demokratike, fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit, i dha afat deri dje Lidhjes Demokratike të Kosovës për të arritur marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës. Ndonëse në vazhdimësi ishte paralajmëruar, kjo marrëveshje u zvarrit për shkak të disa mospajtimeve rreth, siç është thënë, mënyrës së qeverisjes së vendit, përkatësisht ndarjes së pushtetit ndërmjet këtyre dy partive. Ishte nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, që tha se e mërkura e ardhshme, kur mblidhet sërish Parlamenti i Kosovës, do ta gjejë Kosovën me të gjitha institucionet e saj, të cilat do të votohen në pako. “Mendoj se ka ardhur koha qe LDK të kuptoj se nuk janë fitues të zgjedhjeve. Duhet të fillojnë të sillen ashtu siç janë ne nuk kemi kohë që të vonojmë procesin. Unë besoj se kjo marrëveshje të arrihet deri nesër, nëse jo PDK do të fillojë me alternativa të reja. Ne nuk kemi kohë të presim”, deklaroi nënkryetari Limaj pasditen e së premtes, menjëherë pas betimit të deputetëve të rinj të Kosovës.
Përplasjet
Këmbëngulja e Lidhjes Demokratike të Kosovës se nuk ka nevojë që posti i Presidentit të përfshihet në votime ka qenë një ndër bllokuesit kryesorë të deritashëm të marrëveshjes. Ndonëse në mbledhjen e parafundit të Kryesisë së LDK-së Fatmir Sejdiu kishte lënë të kuptohet se ai edhe mund të jetë subjekt votimi në Parlament, ai asnjëherë nuk e kishte konfirmuar qartë qëndrimin e tij. Ky zhvillim ka ardhur në ditën e seancës inauguruese të Parlamentit në të cilën nuk është zgjedhur as Kryesia e re, e as Kryeparlamentari. Por, burime nga Prishtina kanë bërë të ditur se, një konsultim i shkurtër i Joachim Ruecker të premten ka zgjidhur një nga problemet kryesore për arritjen e një marrëveshje për konstituimin e institucioneve - futjen në pako edhe të postit të Presidentit. Një zyrtar i afërt me bisedimet e zhvilluara mes Shefit të UNMIK'ut dhe liderët kosovarë ka treguar se qëndrimi i autoritetit përfundimtar për të interpretuar ligjet në Kosovë ka qenë se Presidenti duhet të jetë pjesë e marrëveshjes.
Menjëherë pas këtij takimi, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova do të ketë shumë shpejt edhe udhëheqjen e Parlamentit, Qeverinë dhe Presidentin. Ai deklaroi se ekspertët e dy partive janë duke punuar në marrëveshjen të cilën ai priste se do të arrihej shumë shpejt. Kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjes së udhëheqjes së Parlamentit kishte hasur në mirëkuptimin e Shefit të UNMIK-ut Joachim Ruecker. "Po. Ne e kemi vlerësuar situatën. Meqë Kuvendi është mbledhur, deputetë kanë bërë betimin, kjo ka qenë në rregull. Parlamenti do të mblidhet sërish të mërkurën ku do të zgjidhet edhe Kryesia edhe Kryeparlamentari. Të shpresojmë se do të kemi edhe Qeverinë", ka deklaruar Ruecker. Ndërkaq, Sejdiu dhe Thaçi nuk kanë pranuar të deklarohen për problemet konkrete. I pyetur nëse PDK-ja do të lëshojë pe nga oferta e saj fillestare për pesë ministritë, Thaçi ka thënë se marrëveshja do të jetë mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit. Ndërkohë zyrtarët e afërt me Thaçin dhe Sejdiun thonë se bllokuesit kryesorë ndërlidhen me ndarjen e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit si edhe me atë të Energjetikës. Një problem tjetër do të jenë edhe emrat. Lideri i PDK'së Thaçi ka bërë një lëvizje nga qëndrimi i tij fillestar për të mos pasur në kabinet ministra nga mandati i kaluar i qeverisë dhe kuvendeve komunale. Tashmë emra si ai i Lutfi Hazirit ka mundësi të bëhen opsione serioze për të qenë në përbërjen e re qeveritare.