E Diel, 1 Nëntor 2026

Pritet sërish rritje e çmimit te naftës / Qeveria propozon të krijojë rezervën strategjike

Qeveria propozoi të krijojë rezervën strategjike të naftës në pronësi të shtetit shqiptar, por një pjesë e kostos së saj do të përballohet nga operatorët privatë, të cilët pritet që këtë kosto ta transferojnë në çmimin final të pakicës.

Edhe vetë qeveria ka ranuar në raport e saj se sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure, çka do të sjellë rritje të ngarkesës financiare në zinxhir dhe do të reflektohet në rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori.

Rezerva synon të përdoret në raste emergjencash, kur importet mund të ndërpriten dhe vendi ka nevojë të garantojë furnizimin me karburant për shërbime jetike, si ambulancat apo mjetet e ushtrisë.

Projektligji, në nenin 8, përcakton se rezerva do të krijohet përmes depozitimit të naftës nga një Autoriteti shtetëror që do të krijohet dhe në marrëveshje me operatorë privatë të licencuar. Në këtë mënyrë, kompanitë private do të ngarkohen të depozitojnë fizikisht karburant për llogari të shtetit, me qëllim krijimin e rezervës së sigurisë.

Por përveç detyrimit për depozitimin fizik të produktit, operatorët do të ngarkohen edhe me një pagesë të përcaktuar në projektligj si “tarifa e rezervës së sigurisë”. Kjo tarifë do të shkojë në një fond që do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të krijimit të rezervës fizike, mirëmbajtjes, monitorimit dhe kostove të tjera të skemës. Ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve për mirëmbajtjen e rezervës, sipas draftit do të mbulohen edhe përmes kredive, të ardhurat nga buxheti i shtetit, të ardhurat nga shitja e rezervave etj.

Shoqata e Hidrokarbureve ngre shqetësime për mënyrën se si qeveria parashikon ta financojë modelin e ri të propozuar për krijimin e sigurisë së naftës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›