E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pritet ulje e inflacionit në Eurozonë në vitin 2026, BQE: Çmime më të ulëta të energjisë

Në vitin 2026, për shkak të çmimeve më të ulëta të energjisë, do të ketë një ulje të mëtejshme të inflacionit në Eurozonë, në 1.9% nga 2.1% këtë vit. Sipas parashikimeve të ekspertëve të Bankës Qendrore Evropiane, BQE, parashikohet që çmimi mesatar i naftës Brent të bjerë më tej në 62.5 dollarë për fuçi mesatarisht në vitin 2026, nga 69.2 dollarë në vitin 2025. Po ashtu, edhe çmimi i gazit natyror në tregun e Amsterdamit do të bjerë në 29.6 euro për megavat-orë, nga 36.5 euro në vitin 2025.

Ulja e çmimit të gazit natyror këtë vit të ri pritet të ndikojë edhe tek ulja e çmimeve me shumicë të energjisë elektrike, që parashikohet të jetë 75 euro për megavat-orë, nga 83.9 euro. Për çmimet e ushqimeve, BQE-ja pret që rritja të ngadalësohet në 2% në vitin 2026. BQE-ja përqendron vëmendjen e saj edhe në rritjen e çmimeve të shërbimeve, e cila arriti në 3.5% në bazë vjetore. Për ekonominë e Eurozonës në tërësi, kompensimi për punonjës po rritet me një normë mesatare vjetore prej 4% këtë vit, e cila pritet të ngadalësohet gradualisht në vitin 2026.

BQE-ja e rishikoi parashikimin e saj të rritjes për vitin 2026 në 1.2%, nga 1% që pritej në muajin shtator, pasi eksportet i rezistuan luftës tarifore të SHBA-së dhe, të kombinuara me rritjen e kërkesës së brendshme, çuan në një rritje të PBB-së prej 1.4% në tremujorin e tretë. Konsumi familjar po mbështetet nga rritja më e lartë e pagave, me papunësinë që luhatet pranë niveleve historike të ulëta, pak mbi 6%.

BQE-ja vlerëson se norma mesatare e tarifave për eksportet evropiane në SHBA ra më tej pas marrëveshjes së korrikut – e cila parashikoi një normë prej 15% për shumicën e produkteve të BE-së – në 12.1% nga 13.1%, ndërsa norma mesatare e tarifave për të gjitha importet në SHBA ra nga 20.1% në 18.6%.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›