E Diel, 1 Nëntor 2026

Prizren, Thaçi: Kosova, vend i mundësive të mëdha

PRISHTINË-Kosova është vend i mundësive të mëdha për të gjithë qytetarët e saj, tha sot kryeministri Hashim Thaçi në qytetetin e Prizrenit, ku ka folur për arritjet brenda 15 vitesh nga një vend i okupuar në shtet më shumë se 5 vite i pavarur me 101 njohje të anëtarëve të OKB-së.

“Ne duhet vetëm të kujtojmë se ku ka qenë Kosova para 15 vitesh nën okupimin e Serbisë. Sot Kosova është vend i lirë dhe i pavarur, i njohur nga 101 shtete të ndryshme të botës. Sot Kosova është vend i mundësive të mëdha, ku çdo qytetar i saj ndihet mirë dhe krenar për të arriturat e shtetit të Kosovës. Ndihen mirë dhe krenarë edhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, theksoi kreu i Qeverisë kosovare.

Duke folur në Ditën e Dëshmorëve të Prizrenit, në qytetin më të madh jugor kosovar afër kufirit me Shqipërinë, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të monumentit të Heroit të Kosovës, Xhevat Berisha, kryeministri Thaçi tha se, “sot ne rikujtojmë çdo dëshmor të lirisë të komunës së Prizrenit, çdo dëshmor të lirisë anë e kënd Kosovës”.

“Neve padrejtësisht na ndanë për të jetuar në shumë shtete, por përpjekjet tona për liri nuk u ndalën kurrë. Përpjekjet tona njëshekullore u kurorëzuan me projektin e shekullit të ri, projektin e qytetarëve të Kosovës për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai, duke theksuar edhe se, “pa Prizrenin, pa rezistencën e Prizrenit, liria e Kosovës do të ishte e vonuar”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan, sot në qytetin e Prizrenit ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e përurimit të rrugës së re “Xhevat Berisha”, të ndërtuar në Lagjen e Trimave (ish-Lagja Tusuz) , një rrugë moderne, me gjithë infrastrukturën e nevojshme, rrjetin energjetik, ndriçimin, ujësjellësin dhe kanalizimin, me gjatësi 1.5 kilometra.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›