Pr.ligji për mbetjet, Jaupaj: Përgjegjësi financiare e organizative për ndotësit

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”, duke e cilësuar atë një kthesë historike në politikat mjedisore të Shqipërisë.
Gjatë diskutimit të projektligjit, Jaupaj tha se “ky pr.ligj nuk është thjesht një akt normativ për të plotësuar kërkesat formale të BE-së, por një transformim i thellë në mënyrën se si ne si shoqëri e kuptojmë dhe ushtrojmë përgjegjësinë ndaj mjedisit që na rrethon dhe ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh”.
Gjithashtu, vijoi Jaupaj, ky projektligj është një qasje mjedisore, e cila parashikon se prodhuesi edhe importuesi duhet të mbajnë përgjegjësi financiare dhe organizative për menaxhimin e mbetjeve që gjenerojnë nga produktet e tyre gjatë gjithë ciklit jetësor duke përfshirë fazat e mbledhjes, riciklimit dhe trajtimit fundor të tyre.
“Prezantimi këtij projektligji plotësues me ligjin e menaxhimit të mbetjeve, që miratuam dy javë më parë në parlament, sjell një transpozim të direktivës kuadër të mbetjeve. Në ligjin e ri subjektet prodhuese që vendosin produkte në tregun shqiptar duhet të jenë përgjegjëse në trajtimin e mbetjeve që krijohen nga këto produkte. Për qytetarët kjo do të thotë një ulje indirekte e barrës financiare, për bizneset e përgjegjshme që investojnë në praktika miqësore me mjedisin kemi një avantazh konkurrues duke nxitur inovacionin”, theksoi Jaupaj.
Ai tha se “projektligji sjell disa parime, si parimi në lidhje me drejtësinë, ku qytetarët nuk do të paguajnë për mbetjet e subjekteve prodhuese, kemi modernizim të mënyrës së përdorimit dhe përdorimi i ciklit të plotë të jetës së produkteve. Kemi një afrim sa i takon riciklimit që krijon vende pune dhe kursen burimet natyrore, që mund të përdoren për gjenerata”.
Jaupaj vuri në dukje se për dekada të tëra ekonomia ka ndjekur modelin linear, i cili ka dominuar zhvillimin industrial, sot po tregon kufijtë e tij.
Më tej Jupaj u shpreh se “burimet natyrore po shfrytëzohen me ritme që po tejkalojnë aftësinë e planetit por edhe te vendit tonë për t’i rigjeneruar. Mbetjet grumbullohen në sasi që tejkalojnë kapacitetin për t’u menaxhuar. Mjedisi që duhet t’u lëmë brazave të rinj dëmtohet në mënyrë që rrezikon edhe vetë bazat e mirëqenies së këtij brezi”.
“Ligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje” përfaqëson hyrjen e Shqipërisë në epokën e ekonomisë qarkulluese ku produktet ruhen, mbetjet ripërdoren, mbetjet transformohen. Parimi “ndotësi paguan” nuk është vetëm një mekanizëm mjedisor, por është një imperativ i drejtësisë ai që përfiton nga vënia në treg e një produkti duhet të mbajë përgjegjësi atë që mbetjet pas konsumit të tij krijojnë. Kjo është një dretësi ekonomike dhe sociale”, tha Jaupaj.
Jaupaj bëri të ditur se “ligji synon të hyjë në fuqi në 1 qershor 2026 duke krijuar një përudhë tranzitore që u krijon bizneseve që janë subjekt i këtij ligji të përshtaten me kërkesat e reja”.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 8/k.s/r.e/