Problematikat që shqetësojnë të rinjtë, psikologët këshillojnë komunikim të vazhdueshëm

Frika e të qenurit në qendër të vëmendjes, dëshira për të qenë pjesë e grupit, shqetësimet që lidhen me performancën akademike janë disa nga problematikat që shqetësojnë të rinjtë në ditët e sotme.
Psikologët sqarojnë se të gjitha këto ndikojnë në vetëvlerësimin e adoleshentëve, ndaj të nxitur dhe nga prindërit ata nuk hezitojnë të marrin shërbimin psikologjik.
“Të paturit të shqetësimeve mund të jenë të lidhura edhe me ndryshimet që përjetojnë të rinjtë. Kalimi nga një stad në një stad tjetër zhvillimi, shoqërohet me konfuzionin, me frikë krah e përballjes, me bullizimin që ndodh në shoqëri rëndomë, jo vetëm në rrjetet sociale. Patjetër problematikat e shëndetit mendor të cilat mund t’i shohim edhe si shqetësim por edhe si pasojë të këtyre shqetësimeve”, tha psikologia.
Por a ndikojnë rrjetet sociale në gjendjen emocionale të të rinjve shqiptarë?
“Rrjetet sociale promovojnë modele të gabuara të cilat jo domosdoshmërish në kontekstet reale janë të suksesshme apo janë të lehta për t’u arritur. Kemi dhe rastet pastaj të varësive të cilat shkaktohen nga përdorimi i rrjeteve sociale apo i lojërave elektronike. Pra janë disa kategori të cilat mund të ndikojnë tek mirëqenia psikologjike”, tha ajo.
Rastet për t’u trajtuar te psikologu janë të ndryshme, ndaj dhe atij duhet të vlerësojë shumë elementë.
“Psikologu vlerëson shumë dimensione të cilat lidhen me arsyet e fillimit të ankthit, kohëzgjatja, nëse është nevoja për referim në shërbime të tjera shëndetësore”, tha ajo.
Psikologët kanë një mesazh për të gjithë ata që hezitojnë të kërkojnë ndihmë edhe pse e kanë të domosdoshme.
“Të kërkosh ndihmë është e vështirë si fillim, por është zgjidhja më e qëndrueshme dhe ezauruese po themi e të gjithë problematikës. Ajo që unë do të ftoja është stili i shëndetshëm jetese, sa më shumë aktivitete, të cilat ndihmojnë në menaxhimin, sepse diferenca këtu është jo te të paturit sfida apo jo, por mënyra se me të cilën ne përballim sfidat”, përfundoi ajo.
/RTSH/