E Diel, 1 Nëntor 2026

Probleme teknike në kontrollin e trafikut ajror në Itali, anulohen disa fluturime nga dhe drejt Tiranës

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës bën me dije se disa fluturime nga dhe drejt TIA-as janë anuluar gjatë ditës së sotme, për shkak të problemeve teknike në sistemet e kontrollit të trafikut ajror në Itali.

Sipas njoftimit të TIA-s, anulimet kanë prekur fluturimet nga dhe drejt Milanos (Malpensa), Torinos, Veronës, Pisës, Riminit dhe Xhenovës, si pasojë e kufizimeve të vendosura në hapësirën ajrore italiane.

Edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se ky reduktim i kapacitetit të trafikut ajror në Itali pritet të shkaktojë vonesa dhe anulime fluturimesh drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Sipas MIE, deri më tani, janë anuluar 8 fluturime nga Aeroporti i Tiranës drejt aeroporteve italiane. Gjithashtu, priten vonesa dhe anulime të tjera të mundshme, si për fluturimet drejt Italisë, ashtu edhe për ato nga Italia, deri në rikthimin e kapacitetit të plotë të hapësirës ajrore dhe aeroporteve italiane.

MIE informoi se hapësira ajrore shqiptare dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijojnë të operojnë me kapacitet të plotë.

Nga ana e vet, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës informon se është në koordinim me kompanitë ajrore dhe autoritetet përkatëse për të ndjekur situatën dhe për të minimizuar ndikimin te pasagjerët.

Ndërkohë, pasagjerëve që kanë planifikuar udhëtime nga ose drejt Italisë u rekomandohet të kontrollojnë rregullisht njoftimet e kompanive ajrore për informacionet më të fundit mbi statusin e fluturimeve.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›