Producentja dhe autorja e Fest 64, Beljoza Çoku: Festivali, një simbol i jetës artistike shqiptare

Producentja dhe autorja e Festivalit të 64-t të Këngës, Beljoza Çoku, foli për prapaskenat e këtij edicioni dhe për rëndësinë e tij në jetën artistike të vendit.
“Festivali është një sipërmarrje tejet e madhe, sepse bashkon të gjithë artistët në eventin më të rëndësishëm artistik në vend. Ai do të mbetet gjithmonë simbol i ngjarjes artistike më të madhe të vitit, por edhe i jetës artistike në përgjithësi,” tha Çoku.
Ajo shtoi se qëllimi dhe filozofia e projektit është të evidentojë talentin dhe aftësitë e vërteta të artistëve.
“Ky standard i ngritur ndër vite ka rritur produktivitetin dhe cilësinë e të gjitha produkteve që kanë sjellë artistët, veçanërisht në këngën e lehtë,” u shpreh Çoku.
Producentja theksoi gjithashtu se artistët përfshihen emocionalisht në atë që krijojnë, dhe gara shpesh e bën procesin më të vështirë.
“Pas kuintave punon një trup i madh njerëzish, dhe shkëlqimi që shikoni në skenë është rezultat i shumë vështirësive dhe përkushtimit,” përfundoi ajo.
/rtsh.al/