Prof.As.Dr.Gjergj Sinani: Filozofia e Gylenit dhe njeriu*
Në çdo kohë njeriu ka shtruar pyetjen; si të jetoj në mënyrë dinjitoze? Nga çasti që shtrohet kjo pyetje, njerëzit janë përpjekur që të ndërtojnë një shoqëri që të krijojë kushtet e domosdoshme që njerëzit të zhvillojnë lirshëm aftësitë dhe talentet e tyre, të ndërtojnë në shoqëri në përputhje me idealin e tyre si njerëz. Në këtë kuptim, të gjithë mendimtarët janë ndalur në çështjet që ekzistenca e njeriut të jetë sa më në përputhje me idealin e tyre si njerëz, prandaj dhe njerëzit duhet t’u jenë mirënjohës, sepse kanë qenë dhe janë heronjtë e mendimit që i kanë mësuar njerëzit të kërkojnë dhe të luftojnë për lirinë dhe dinjitetin e tyre. Të gjithë mendimtarët humanistë, si kur janë nisur nga premisa e Zotit, apo premisa natyrore, në qendër të tyre kanë patur njeriun. E thënë në një mënyrë filozofike, sipas Niçes, si të ngrihet njeriu nga nënnjeri në mbinjeri. Sigurisht, mbinjeriu nuk është as fyhreri, as ndonjë despot, pavarësish nëse do të quhet faraon, dar, çezar, car, mbret ose sekretar i parë. Mbinjeriu është njeriu i ditur, i guximshëm dhe kurajoz dhe xheloz për lirinë dhe dinjitetin e vet, me shije të zhvilluar artistike. Nënnjeriu, është egoisti, cmirxhiu, ziliqari, spiuni i pushtetit, denoncuesi anonim. Shkurt, ai që nuk ka respekt as për veten dhe as për të tjerët. Të parët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar që të përsosin vetveten deri në çastin e fundit të jetës. Të dytët, janë zvarritur pas pushtetit dhe e kanë parë përparimin e tyre duke shkatërruar tjetrin. Për këta, dinjiteti është një fjalë e panjohur. Këta, edhe pse jetojnë në mjerim material dhe shpirtëror, ndjehen krenarë në mbledhjen e partisë, ose ndjehen krenarë për pallatin e kulturës, ose ndiheshin të lumtur kur dërgonin të tjerët në murin e ekzekutimit, ose kur bërtisnin nëpër mitingje “Rroftë!” apo “Poshtë!”. Nuk e kuptojnë se me rroftë apo poshtë, nuk ndërtohet një shoqëri dinjitoze.
Gyleni, ashtu siç na e paraqet Carrol në librin e saj “Dialogu i qytetërimeve”, synon njeriun ashtu si dukur Konfuci për virtytin e qeveritarit dhe të qeverisurit, Sokrati që e ktheu filozofinë nga kozmosi drejt njeriut, Platoni me utopinë e vet, Kanti me imperativin e vet moral që të mos trajtohet njeriu si mjet, por vetëm si qëllim e deri te Sartri me humanizmin e vet ateist dhe etikën e përgjegjësisë.
Sigurisht, Gyleni, duke e bërë njeriun si mishërues të vlerave hyjnore, synon që të kritikojë xhihadin, dhunën, terrorin dhe të flasë për jetën njerëzore në përgjithësi dhe jo vetëm të myslimanëve. Është ky humanizëm që i jep kuptim dialogut me filozofët e mëdhenj, pavarësisht pozicioneve ontologjike.
Sigurisht që nuk është koha dhe vendi që të shpjegojmë këto pozicione dhe premisa, që edhe pse të ndryshme, i japin kuptim dialogut. Ky është një dialog që nuk ngërthen asnjë qëndrim agresiv. Dihet se në filozofi nuk ka kuptim qëndrimi agresiv. Filozofët as shahen dhe as urrehen. Ata kritikojnë dhe pranojnë kritika. Ata e dinë se nga kritika nuk vjen asgjë e keqe. Përkundrazi, nga konformizmi, sidomos nga konformizmi me pushtetin, burojnë të gjitha ato vese që shkatërrojnë njeriun dhe shoqërinë. Dikur Konfuci shkruante se “Ka veçse dy rrugë: rruga e virtytit dhe rruga e vesit”. Prandaj, “Mësimi im, shkruante ai, reduktohet në një gjë të vetme që i përfshin të gjitha. Tërë mençuria konsiston në perfeksionimin e vetvetes dhe t’i duash të tjerët siç do vetveten”, dhe njeriu perfeksionohet “duke rregulluar lëvizjet e zemrës së tij”. Edhe kur Platoni e përcaktonte drejtësinë si harmonia e shpirtit, ose Kanti kur fliste për imperativin moral, i kërkonin njeriut që të harmonizonte arsyen me pasionet ose, e thënë ndryshe, pulsionet e mishit të mos mbizotërojnë arsyen.
Gyleni, duke u dhënë vlerave origjinë hyjnore, ato mund të zhvillohen përmes aftësive të tyre të të dëshmuarit dhe të interpretuarit të universit. Ai thekson se njerëzit zotërojnë vlera edhe më të larta se engjëjt dhe se vetëm përmes ideve dhe veprave të tyre ata i japin kuptim jetës. “Qeniet njerëzore, shkruan ai, përbëjnë thelbin dhe elementin kryesor të ekzistencës, përmbajtjen dhe elementin bazë të universit… Me qeniet njerëzore, krijimi ka gjetur interpretuesin e vet dhe lënda është konceptuar nëpërmjet mendjes së njerëzve duke gjetur kështu kuptimin e vet shpirtëror”. Gyleni, ashtu si Kanti e të tjerë mendimtarë, i merr vlerat dhe dinjitetin njerëzor si bazë për të përkufizuar sjelljet e ligjshme dhe të paligjshme të njerëzve në shoqëri të ndryshme, pavarësisht se ai i mbështet thëniet e tij te Kurani dhe jo te arsyeja siç bënte, për shembull, Kanti. Po ç’rëndësi ka bazamenti ontologjik. Rëndësi kanë njeriu dhe veprat e tij dhe që feja të mos nxisë urrejtjen për tjetrin, por dashurinë ndërmjet njerëzve. Në këtë perspektivë ai e dënon vrasjen dhe madje thekson se “Islami e konsideron vrasjen e një njeriu si vrasjen e gjithë njerëzimit, sepse për vrasësin e një njeriu është e pranueshme ideja se çdo person tjetër mund të vritet”.
Prandaj, edhe del imperativi i dashurisë. “Në fakt, dashuria është trëndafili i bekimit tonë, një lule në zemër, e cila kurrë nuk vyshket. Meqë Zoti e ka rrethuar universin me dashuri, muzika më magjike dhe më e mrekullueshme në kraharorin e ekzistencës, mbi gjithçka tjetër qëndron dashuria”.
Sigurisht, dashuria përkthehet në humanizëm. Ai do të tregojë se dashuria përbën zemrën e Islamit dhe injorimi ose keqpërdorimi i fesë ka pasoja mjaft të rrezikshme si për njeriun, por edhe për paqen sociale. Për rëndësinë aktuale të problemit le ta sjellim të plotë idenë e tij. “Humanizmi përbën një doktrinë të dashurisë që në ditët tona, po interpretohet shtrembër duke qenë potencialisht dhe lehtësisht e manipulueshme nëpërmjet interpretimeve të ndryshme… Duhet të jetë e vështirë për të bërë të përputhshme me humanizmin sjelljen e çuditshme të atyre që reklamojnë dhembshurinë dhe mëshirën dhe që më pas përfshihen në akte anarkie dhe terrori, me qëllim shkatërrimin e unitetit të një vendi. Si edhe për ata të cilët kanë vrarë pa iu dridhur dora, njerëz të pafajshëm, si një pjesë e një veprimtarie shekullore, të bazuar në shkatërrimin e mirëqenies së një vendi dhe gjithashtu, edhe për ata të cilët i kryejnë këto akte në emër të vlerave fetare dhe në mënyrë të tmerrshme akuzojnë padrejtësisht Islamin si një fe që lejon sulmet terroriste”. Në këtë kontekst, mallkuar hipokritët. Nuk është e rastit që edhe Krishti ka fjalët më të ashpra për hipokritët. Le të kujtojmë shtatë mallkimet kundër skribëve dhe farisejve hipokritë: “Vij për ju skribë e farisej, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhura me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi”.
Natyrshëm kalohet te liria, sepse vlerat dhe humanizmi nuk mund të kuptohen pa lirinë. Krahasimi që Carrol i bën Gylenit me Millin nuk është pa bazë. Milli lartësoi lirinë, drejtësinë dhe sidomos lirinë e mendimit. Të dy flasin për rëndësinë e lirisë dhe domosdoshmërinë e saj, për shoqërinë dhe vlerat njerëzore. Në këtë perspektivë, vëren me të drejtë Carrol, Gyleni ankohet për historinë moderne të Turqisë dhe rajoneve të tjera myslimane ku njerëzit kanë përjetuar dhe ngandonjëherë vazhdojnë të përjetojnë struktura shoqërore, në të cilat liria e mendimit dhe e të mësuarit janë të ndaluara, ndonjëherë edhe nëpërmjet censurës së ashpër, apo ideologjive mbizotëruese të sponsorizuara nga shteti. Te liria e mendimit ai shikon edhe një rilindje të myslimanëve dhe që të ndodhë kjo, vëren ai, “Ne duhet të bëhemi të lirë, për të menduar dhe vepruar. Ne kemi nevojë për ato zemra të gjera, të cilat mund të përqafojnë lirinë e plotë të mendimit, të cilat janë të hapura ndaj dijes, shkencave dhe kërkimit shkencor…”. Ai qëndron në të njëjtën linjë paralele me Millin se e shikon lirinë në aspektin e dinjitetit dhe aftësive njerëzore. “Liria e vërtetë, liria e përgjegjshmërisë morale, e bën një individ qenie njerëzore, sepse ajo e motivon dhe e gjallëron ndërgjegjen dhe i heq pengesat shpirtit”. Nëpërmjet kësaj lirie, qeniet njerëzore i lejojnë vetvetes hapësirën maksimale për të zhvilluar aftësitë e tyre të trashëguara të ndërgjegjes, imagjinatës, ndjenjave, spiritualitetit dhe intelektit. Kur këto cilësi zhvillohen dhe u jepet një hapësirë e mjaftueshme për t’u zhvilluar më tej nga strukturat politike dhe shoqërore përkatëse, atëherë qeniet njerëzore përsosen dhe arrijnë kufijtë më të lartë të mundshëm të mundësive të tyre.
Në lidhje me idetë për idealin njerëzor, edukimin dhe përgjegjësinë në dialogun ndërmjet Konfucit, Platonit, Gylenit dhe Sartrit po mjaftohem në sjelljen e disa sentencave të tyre, me shpresën se njerëzit do të venë t’i gjejnë te librat e tyre, pavarësisht se duket se koha e sotme po i largon njerëzit nga libri.
“Disa jetojnë pa u menduar, disa vetëm mendojnë, por nuk mund t’i venë në jetë mendimet e tyre… Ata që jetojnë pa menduar, janë objekte të filozofisë së të tjerëve. Njerëz të tillë vrapojnë gjithmonë nga një model, drejt një modeli tjetër, duke ndryshuar pa pushim strukturën dhe formën, duke e çuar dëm jetën e tyre në mendime dhe ndjenja të devijuara, në çrregullime personaliteti dhe në metamorfoza të karakterit dhe të paraqitjes, pa qenë në gjendje kurrë të jenë vetvetja… Këta njerëz i ngjajnë gjithmonë një pellgu me ujë që është i papastër, i ndenjur dhe me erë të keqe. Të paaftë për të shprehur ndonjë ide sadopak të dobishme për jetën, njerëz të tillë bëhen pashmangshmërisht një burim virusesh, apo çerdhe mikrobesh kërcënuese për jetën” (Gylen). Edhe Platoni, përmes Sokratit, ndalet te mençuria.
“Sundimi i pushtetit është i përkohshëm, ndërsa sundimi i të vërtetës dhe i drejtësisë është i përjetshëm. Edhe nëse ata nuk ekzistojnë sot, do të jenë fitimtarë në të ardhmen e afërt. Për këtë arsye, politikanët e sinqertë duhet ta rreshtojnë vetveten dhe pushtetin e tyre nga ana e të vërtetës dhe drejtësisë” (Gylen).
“Drejtësia nuk është asgjë tjetër përveçse fuqia që sjell njerëz të mirëqeverisur dhe qytete të mirëqeverisura… E vërteta është se drejtësia nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e jashtme të personit, por përbën një mënyrë, sipas së cilës një njeri, në mënyrë të pavarur, qeveris vetveten… Dijen që i jep kuptim dhe vlerë një sjelljeje, ai do ta quante mënçuri” (Sokrati).
“Prandaj progresi dhe zhvillimi i vërtetë njerëzor, si dhe përfshirja në marrëdhënie të domosdoshme për ekzistencën tonë bëhet e mundur vetëm me anë të edukimit” (Gylen).
“Meqenëse jeta “reale” është e mundur vetëm nëpërmjet dijes, ata të cilët lënë pas dore të mësuarit dhe të shpjeguarit, konsiderohen si “të vdekur” edhe atëherë, kur janë të gjallë nga pikëpamja biologjike. Ne jemi krijuar për të mësuar dhe për t’ua komunikuar të tjerëve atë që kemi mësuar” (Gylen).
“Shkolla duhet të jetë sa më e përsosur që të jetë e mundur përsa i përket programit të saj, standardeve shkencore dhe morale të mësuesve dhe kushteve fizike. Familjet duhet të sigurojnë ngrohtësinë dhe atmosferën e nevojshme, në të cilën duhen rritur fëmijët” (Gylen).
“Njeriu është në fillim një projekt i ndërgjegjshëm për vetveten e jo thjesht një grumbull mbeturinash, një pjesë moçali, apo një lulelakër. Asgjë nuk është më e rëndësishme se ky plan. Nuk ka asgjë në qiell. Njeriu do të jetë ai që ka planifikuar vetë të jetë… por nëse ekzistenca realisht paraprin thelbin, njeriu realisht është i përgjegjshëm për atë që është. Prandaj hapi i parë i ekzistencializmit është ndërgjegjësimi i njerëzve për atë çfarë ata përfaqësojnë dhe marrja nga ana e tij e përgjegjësisë së plotë në lidhje me ekzistencën e vet. Por, kur shohim se një njeri është i përgjegjshëm për vetveten, nuk kemi parasysh që ai është i përgjegjshëm për individualitetin e tij, por sa është përgjegjës për të gjithë njerëzit” (Sartri).
“Veprimi është komponenti më i rëndësishëm dhe më i nevojshëm i jetës sonë… Nëse ne nuk veprojmë ashtu siç jemi, ne zhytemi në dallgët e shkaktuara nga goditjet dhe veprat e të tjerëve, duke u zhytur në vorbullën e planeve dhe mendimeve të të tjerëve, duke qenë të detyruar të veprojmë si u pëlqen atyre. Duke iu shmangur veprimit, duke mos ndërhyrë në gjërat që ndodhin përreth, duke mos u bërë pjesë e ngjarjeve përreth nesh dhe duke qëndruar indiferentë ndaj tyre, është sikur ta lemë vetveten që të shkrihet si akulli kur kthehet në ujë” (Gylen).
“Dhimbjet dhe vuajtjet që lindin nga ndjenja e përgjegjësisë nëse nuk janë të përkohshme, përbëjnë një bekim që nuk duhet shmangur dhe një burim të fuqishëm frymëzimi për projekte të tjera të mëvonshme, ndaj duhet vlerësuar maksimalisht ndërgjegjja e tyre, e cila ka mbetur e pastër dhe e paprishur” (Gylen).
“Ai që nuk e njeh vullnetin e qiellit nuk do të jetë kurrë i ditur. Ai që nuk i njeh rregullat dhe zakonet nuk do të jetë konstant në sjelljen e tij. Ai që nuk di të dallojë të vërtetën nga e rrema në diskutimin e njerëzve nuk mund t’i njohë njerëzit” (Konfuci).
“Në qoftë se një njeri di të vetëqeveriset, çfarë vështirësie do të ketë ai për të drejtuar shtetin? Por ai që nuk di të qeverisë veten, si do të mund të qeverisë të tjerët?” (Konfuci).
“Për mbi të gjitha një princ duhet të dojë tri gjëra: territorin e tij, popullin e vet, rregullat dhe çështjet administrative” (Konfuci).
“Sytë, veshët, gjuha juaj, gjithçka te ju duhet të mbahet brenda rregullave të ndershmërisë dhe të respektit” (Konfuci).
Ai që në mëngjes ka kuptuar mësimet e mençurisë, kur të vijë mbrëmja, vdes i kënaqur” (Konfici).
“I dituri është i qetë, ai e ka zemrën plotësisht të hapur. Njeriu vulgar është gjithmonë i rrëgjuar nga shqetësimet” (Konfuci).
“Mënyra më e mirë për të zhvilluar virtytet natyrore të zemrës, është zvogëlimi i dëshirave. Ai që zvogëlon dëshirat, do të mund të shmanget nga rruga, por kjo do të ndodhë rrallë. Ai që ka shumë dëshira do të mund të veprojë në mënyrë të virtytshme, por kjo do të jetë shumë e rrallë” (Konfuci).
“Kush studion veprat e klasikëve dhe vargjet e dijetarëve të mëdhenj, në qoftë se do me të vërtetë që t’i kuptojë, nuk duhet të lidhet me një fjalë duke shkatërruar një frazë, as të lidhet me një frazë duke shkatërruar kuptimin e përgjithshëm. Kush kërkon kuptimin e vërtetë përmes refleksionit, ai do ta gjejë atë” (Konfuci).
“Të dëgjosh ose të lexosh pa reflektuar është një kalim i kotë i kohës; të reflektosh pa libër dhe pa mësues është e rrezikshme” (Konfuci).
“Vetëm njeriu i virtytshëm di t’i dojë dhe t’i urrejë njerëzit ashtu siç duhet” (Konfuci).
*Kumtesa e mbajtur në “Promovimin e Ideve të Gylenit”, Tiranë, 13 Mars 2010.