Profesionalet, degë të reja në teknologjinë e informacionit
Një projekt arsimor parashikon ngritjen e degëve të reja të teknologjisë dhe informacionit në 12 shkolla. Aktualisht, degë të tilla ka vetëm në 5 shkolla nga 49 shkolla profesionale në shkallë vendi. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë: “Përmirësimi i Cilësisë dhe Zhvillimi i Degëve të reja të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit(TIK), në shkollat profesionale”, organizuar në shkollën teknike të Tiranës “Harry Fultz”.
Në fjalën e tij, Tafaj, theksoi se zhvillimi i arsimit profesional është një nga prioritetet e MASH-it dhe ky takim synon të diskutojë rreth rrugëve dhe mundësive për rritjen e cilësisë së arsimit profesional dhe për orientim e tij drejt tregut të punës. Janë marrë disa hapa, jo vetëm në nivelin e arsimit të mesëm, por dhe atë të lartë që synojnë të rrisin numrin e nxënësve që mësojnë dhe studiojnë në degët dhe profesionet e lidhura me teknologjinë e informacionit.
“Teknologjia e informacionit zbatohet në çdo fushë. është një numër i madh profesionesh që prek pikat e takimit midis industrisë, ekonomisë, biznesit, tregtisë dhe teknologjisë së informacionit. është ekonomia e shërbimeve, turizmi, bujqësia dhe shumë drejtime të tjera ku janë zhvilluar profesione të qëndrueshme që u përgjigjen kërkesave të tregut të punës”, tha Tafaj. Sipas tij, kriza financiare e tre viteve të fundit në gjithë botën, tregoi se profesionet më pak të prekura nga kriza ishin ato që lidhen me TIK-un. “Koha e paskrizës tregon se shanset e ekonomive për të dalë sa më shpejt nga kriza dhe për t’u ringritur janë më të mëdha në vendet ku investimi për arsimin ka qenë më i madh dhe ku niveli i arsimimit dhe i formimit të specialistëve është më i lartë”, sqaroi ministri.
Hapja e klasave dhe degëve të reja në shkolla do të nxisë të rinjtë të zgjedhin shkollat e mesme profesionale, pasi përmes studimeve kanë mundësi që në përfundim të shkollës të kenë dy avantazhe: atë të daljes në tregun e punës duke u punësuar ose vetëpunësuar dhe avantazhin e dytë për të vijuar shkollimin e lartë në fushat e lidhura me TIK. Nga ana tjetër, do të shfrytëzohen edhe inxhinierët elektronikë dhe të telekomunikacionit në të gjitha rrethet e vendit, duke adaptuar mekanizma stimuluse dhe tërheqëse për këtë grup specialistësh si mësues të jashtëm.
#