Profesore me shumice! Kerkues sa kemi?
Përshtypja e disa ditëve më parë të një ekipi miks kërkimi nga Europa e zhvilluar, gjatë vizitës në Shqipëri, ishte se në administratën qendrore kishte mjaft profesorë dhe doktorë - pothuaj në çdo zyrë ku ata patën takime - dhe që nuk harronin të prezantoheshim me titujt dhe gradat. Në Tiranë kemi një profesor për çdo pallat - u thamë me gjysmë shakaje kolegëve. Fenomeni i gradimit shkencor në administratë dhe gjetkë është një modë, përgjithësisht e lehtë për t’u fituar, i paguar ekstra dhe një parzmore që justifikon funksionet dhe vendin e punës.
Në fakt, me të drejtë një administrator me kualifikim të lartë dhe specifik në fushën ku drejton është i dëshirueshëm në çdo kohë dhe për çdo qeveri. Problemi qëndron te certifikuesi; sa e besueshme, e barabartë, e akredituar është Diploma, sa e barasvlefshme do të ishte në raport me një tjetër të fituar në Europë ose SHBA dhe sa universitetet dhe politikëbërësit janë të angazhuar në cilësi. Për periudhën njëzetëvjeçare të tranzicionit janë doktoruar disa mijëra persona me rregulla që ndryshoheshin çdo tre-katër vjet, shpesh nën trysni politike, me ritëm të ngjashëm me periudhën paraardhëse, ndonëse kapacitetet dhe infrastruktura universitare ishin të paorientuara, të dobëta dhe të zvenitura.
Përshtypja është se, në këtë periudhë tranzicioni, universitetet kanë bërë rolin e pasivit dhe kanë mirëpritur vendimet e politikës, si një oksigjenim i nevojshëm në kornizën e kërkimit shkencor për të përballuar krizat e identitetit dhe të mbijetesës. Në këto kushte ka pasur inflacion të gradave dhe të titujve. Pas kësaj, përfshirja në hapësirën europiane të arsimit tonë të lartë, përmirësimeve ligjore, përfshirja në programe europiane dhe aksionit të qeverisë për mbështetjen e kërkimit nëpërmjet financimit nga BB, ndodhemi vetëm potencialisht, në një fillim të përmirësimit cilësor të kërkimit. Megjithatë, ballafaquar me kërkesat e kohës, aspiratat dhe sfidat, duket se ende nuk kemi arritur nivelin e viteve ‘80 dhe jemi larg të qenit përkrah vendeve të BE-së, por edhe të rajonit. Le të shohim më poshtë se sa të “çalë” jemi.
Me gjithë pranimin dhe përgatitjet për shkollën e doktoraturës në kuadër të hapësirës europiane të arsimit të lartë, sipas Deklaratës së Bolonjës, para dy vjetësh, doktoraturat në universitetet tona vazhdojnë si më parë: një qind për qind part - time. Për të gjitha shkencat inxhinierike, të natyrës dhe të tjera teknologjike kërkimi, për vetë specifikat, është pothuaj i pamundur kërkimi në distancë. Në vitin akademik 2009-2010 në universitetet tona u regjistruan për doktoraturë rreth 1000 studentë, ndërkohë që në Slloveni numri i doktorantëve ishte 1100, ndërsa në Kroaci 1300, kur kapacitetet shkencore, infrastruktura e kërkimit dhe përfshirja e ekipeve të tyre kërkimore në ekipe mikse europiane është impresionuese. Raporti i doktorantëve me numrin e studentëve si dhe numrin e popullsisë me arsim të lartë rezulton të jetë pothuaj i njëjtë me atë të BE; cilësia nuk është dhe as nuk pritet të jetë as europiane dhe as konkurruese në tregun rajonal të punës.
Kërkimi në distancë ose “me korrespondencë” nuk cenon vetëm cilësinë e doktoraturave, por edhe sistemin e edukimit në tërësi. Patentat, inovacionet, shpikjet, madje edhe ato që honorohen me çmim “Nobel”, bazohen në punën në laborator të doktorantëve; ata mbajnë të tensionuar të gjithë kërkimin, japin impulset dhe inputet e dëshiruara.
Përvojat europiane theksojnë se doktoraturat, të unifikuara si shkolla, janë vazhdimësi e cikleve të dyta të studimit, që supozon se studentët vazhdojnë një shkollë më të lartë, pa ndërprerje, ditën dhe të mbështetur financiarisht. Struktura e doktorantëve te ne tregon se mosha mesatare është dallueshëm më e madhe se vendet e rajonit dhe ato europiane. Një pjesë e mirë e tyre vijnë nga administrata shtetërore që kanë mundësi financiare, njohje dhe influenca të cilat, të gjitha bashkë, ndikojnë në anshmërinë e përzgjedhjes dhe në cilësinë e kërkimit. Me përjashtim të rasteve të rralla, këta administratorë nuk mund të bëjnë shkencë përveç faktit se pjesa dërrmuese e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me kërkimin; ata punojnë në sektorë ku statusi që gëzojnë nuk kërkon kualifikime ekstra.
Në Itali, Greqi, Serbi dhe Maqedoni kjo nuk ndodh; përqindja e doktorantëve, të cilët paralelisht punojnë në administratë është nga 1 deri në 5, dhe se mosha mesatare përkon me atë të një studenti që ka mbaruar rishtazi shkollën e lartë dhe Master. Deputetë, zv/ministra, drejtorë në ministri dhe rrethe, punonjës të ministrive janë doktorantë dhe kjo pa dyshim nuk ka asgjë të përbashkët me Bolonjën dhe asnjë strategji arsimi kudo në vendet europiane.
Kështu, ndonëse një propozim shumë i detajuar për shkollën e doktoraturës ka gjashtë muaj që ka përfunduar nga një grup ekspertësh dhe ndodhet në sirtarët e drejtorit të Arsimit të Lartë, ende nuk ka asnjë sinjal se është duke u marrë dikush me të. Edhe pse në amendimet e fundit të Ligjit (2010) detyrohet kursi teorik në doktoraturë, deri tani asnjë shkollë doktorature nuk ka funksionuar. A thua bëhen me qëllim për të lënë ende hapur kanalin e komunikimit të administratës me kërkimin dhe regjistrimin e tyre në regjistrat e universiteteve publike edhe një herë si shkencëtarë? Apo ndoshta pritet që universitetet privatë të marrin përsipër modifikimin e rregullave që pastaj të bëhen pjesë e kërkimit në doktoraturë? Në studimin në fjalë, eksperiencat në Francë, Gjermani, Greqi dhe Irlandë tregojnë qartazi se asnjë universitet privat, cilido qoftë nuk mund të ketë formimin doktoral, edhe sepse qeveritë ia besojnë këtë vetëm arsimit publik, i përgjegjshëm, i kontrolluar dhe i monitoruar rreptësisht.
Çështje tjetër e rëndësishme është financimi; çdo temë kërkimi shoqërohet me një faturë financiare e cila, teorikisht, mbështetet nga kooperimi me biznesin dhe industrinë, fondacionet, fondet/grantet, bashkëfinancimet me universitete europianë nga institucione dhe buxhetet e qeverisë ose të universiteteve. Mirëpo te ne bizneset dhe industritë janë të dobëta dhe me mungesë tradite në këtë fushë dhe nuk besoj se do të kenë mundësi, por edhe nevojë, që edhe për një dhjetëvjeçar tjetër të zgjidhin çështje të tyre të teknologjisë dhe novacionit.
Burimet e vetme të financimit në këtë fushe deri tani mbeten qeveria dhe programet e BE-së. Një pjesë e mirë e fondeve të dhëna për kërkim nga qeveria (MASH) gjatë vitit 2009 u ndërprenë arbitrarisht duke u justifikuar me krijimin e Agjencisë së Kërkimit dhe se fondet i kalojnë kësaj të fundit, e cila nga ana e saj justifikohet se nuk i janë transferuar fonde nga MASH. Praktikat “Hidh e prit” tregojnë se sa të parëndësishme janë financimet për kërkim dhe ky është një moment reflektimi për universitetet; ose kërkimi është jashtë fushës së interesit për tematikat dhe shërbimin që ofron, ose qeveria ka nevojë për statistika sidomos të numrit të doktorantëve.
Më tej, vetë fondi i caktuar dhe i shpërndarë për kërkim në kuadër të Programit të Zhvillimit dhe Kërkimit ishte shumë modest, vetëm 1.4 milionë euro për tre vitet e ardhshme Kjo është sa gjysma e buxhetit të një Projekti të financuar nga KE, ose mjaftueshëm për kërkimin në 50 doktoratura, ose akoma më tej, sa buxheti i një OJF-je në mes të Tiranës. Të tjerët, rreth 95% e tyre, me çfarë parash do bëjnë kërkim? Pse ka kaq mospërputhje midis volumit të kërkimit dhe financimit?
Në fakt, qeveria ka “nën mëngë” disa pyetje të sikletshme për ata që pretendojnë se bëjnë kërkimin: sa teknologji keni adaptuar; sa patenta kini në dosje; sa nevoja të prodhimit keni plotësuar dhe ç’zgjidhje keni bërë; sa certifikime ndërkombëtare keni për këtë apo atë fushë kërkimi ose sa artikuj keni botuar e të tjera pyetje të “sikletshme” si këto. Anekdota e 20 viteve më parë se “ne bëjmë sikur punojmë, ndërsa qeveria bën sikur paguan”, gjen vend e modifikuar në formën: “Qeveria bën sikur paguan dhe ne sikur bëjmë kërkim” dhe të dyja palët duket se kanë gjetur karar me “ne s’e çajmë kokën dhe qeveria nuk pyet se ç’bëjmë”.
Përgjegjësia duket se është në anën e studiuesve sepse, së fundi, qeveria di si ta masë produktin tonë - të shumëpërfolurin botim me impact factor (i.f) - i cili certifikon punën nëpërmjet botimit të artikujve kërkimorë në revista ndërkombëtare të cilësuara si prestigjioze dhe të faktorizuara me impakte. Këtu shumë ekipe ulin kokën edhe pse kanë marrë projekte nga MASH; ato nuk kanë botuar asnjë të tillë përgjatë gjithë punës. Ka fakultete/departamente ku nuk akumulojnë dot as edhe një njësi i.f. për një vit, kur p.sh. në Francë, të mbash vendin e punës si profesor kërkohet më shumë se një i.f. në dy vjet. Me nja 300 profesorë që punojnë në universitetet publike të Tiranës, duhet të kishim rreth 100 botime me më shumë se 1.00 i.f., por nuk kemi më shumë se 10 të tillë në vit.
AKTI dhe MASH mund të operojnë më mirë me këto certifikime që nuk bëhen në Shqipëri dhe nga shqiptarët. Në këtë garë me arbitra të huaj të jenë të mirëpritur edhe universitetet private që janë pothuaj inekzistente në median e madhe të kërkimit shkencor. Se sa kërkim bëjmë dhe sa konkurrues jemi, le të citojmë edhe nja dy statistika të Komisionit Europian që lidhen me Rajonin. Në 2009-n, Komisioni shpalli një konkurs për vlerësues nga Europa për vlerësimin e projekteve europiane në kërkim. Nga Shqipëria konkurruan 24 profesorë dhe nuk fitoi asnjë; për Bosnjën rezultati ishte 32 me 1, për Maqedoninë 55 me 2, Mali i Zi 14 me 1 dhe Serbia 161 me 18. Pa komente: numër i vogël aplikantësh dhe zero fitues.
Një tjetër shembull; në programin disa-miliardësh në vit të KE (FP7-RegPot) rezultatet për Ballkanin Perëndimor ku u aplikuan 65 projekte dhe u fituan 11, fituesit si koordinatorë ishin: Serbia 7 nga 36 të paraqitur, Kroacia 1 nga 5 të paraqitur, Maqedonia 1 nga 4 të paraqitur, Mali i Zi 1 nga 1 të paraqitur dhe Shqipëria asnjë nga asnjë të paraqitur. Shqipëria ishte partnere jo aktive në 6 projekte. Po ashtu, në programin TEMPUS, Shqipëria nuk fitoi asnjë koordinim por 6 partneritete, për Serbinë bilanci ishte 9 koordinime dhe 16 partneritete, Mali i Zi 2 me 9, Maqedonia 1 me 10 dhe Kosova 1 me 0. Në këto konkurrime ne jemi të fundit në Ballkan; në fakt të fundit jemi sepse të tjerët kanë qenë më para gjatë shekullit të fundit, por shifrat nuk janë optimiste dhe se ka pak gjasa që të renditemi para ndonjë tjetër vendi ballkanik, jo për aq kohë sa profesorë të jenë edhe ata që “vrasin” kohën dhe nuk takojnë dot një koleg të huaj.
Edhe një herë te titulli i shkrimit: profesorë ka sa të duash, po kërkues që bëjnë realisht kërkime shkencore kemi pak ose shumë pak, për sa kohë vetë universitetet dhe këshillat e profesorëve nuk do të shkunden nga kjo letargji pritjeje, për sa kohë përgjegjësit e parave nuk të pyesin si, sa dhe ku e “shite” punën që ta pagova dhe për sa kohë kërkuesit-profesorë do të vazhdojnë të bëjnë sikur nuk dëgjojnë.
*Universiteti Bujqësor i Tiranës