E Hënë, 2 Nëntor 2026

Programi Kombëtar i Strehimit, Bashkia Vau Dejës përfituese e tij në dy projekte

Bashkia Vau Dejës, prej vitit 2024, po vijon me zbatimin e programit të strehimit social, i mbështetur edhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Programi i parë ka pasur në fokus strehimin social.

“Në vitin 2024 kemi rehabilituar banesat e 24 familjeve, pjesë e kontingjentit të familjeve të varfra dhe të pafavorizuara. Ky investim, i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka sjellë një transformim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në cilësinë e jetës së komunitetit në lagjet e Vaut të Dejës, të cilat për shumë vite ishin zona informale dhe me mungesa të mëdha infrastrukturore,” tha Çuka Babani, Përgjegjëse e Strehimit në Bashkinë Vau Dejës.

Krahas strehimit, janë bërë investime edhe në infrastrukturë në zona informale që janë në proces legalizimi.

“Kemi bërë rehabilitimin e të gjithë qendrës së qytetit dhe lagjeve kryesore. Numri total i familjeve që kanë përfituar nga përmirësimi i infrastrukturës, kryesisht në zonën informale, është 258 familje me rreth 508 banorë. Ndërsa pjesa përfituese në mënyrë indirekte është i gjithë qyteti i Vaut të Dejës,” shtoi Babani.

Bashkia Vau Dejës është shpallur fituese nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për vitet 2025–2026, me projektin e infrastrukturës kryesisht në zonat informale që janë në proces legalizimi, për rikonstruksionin e rrugëve në zonën e Mjedës.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›