Programi Kombëtar i Strehimit/ Ibrahimaj: 663 familje do të përfitojnë nga fondi prej 700 mln lekësh

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Shqipëria po hyn në një kapitull të ri sa i përket politikave të strehimit, ndërsa prezantoi Programin Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë 2030 në BE. Ibrahimaj tha se prej vitit 2018 qeveria e ka trajtuar strehimin si një politikë të orientuar veçanërisht drejt shtresave në nevojë. Sipas saj, gjatë këtyre viteve rreth 30 mijë familje janë mbështetur përmes politikave të ndryshme të strehimit, ndërsa rreth 100 mijë banorë kanë përfituar nga politikat e subvencionimit.
“Ky është një kapitull i ri për politikat e strehimit. Nga viti 2018 qeveria e ka parë strehimin si një politikë e cila i drejtohej shtresave në nevojë. Nga viti 2018 e deri më sot janë rreth 30 mijë familje që janë mbështetur përmes politikave të ndryshme të strehimit, ndërsa rreth 100 mijë banorë kanë përfituar nga politikat e subvencioneve”, deklaroi ministrja.
Duke bërë një bilanc të politikave të ndjekura ndër vite, Ibrahimaj tha se janë dhënë mijëra kredi të lehtësuara, janë subvencionuar qiratë për mijëra familje, ndërsa janë ndërtuar edhe banesa sociale në bashkitë e vendit. “Bilanci i politikave tregon se kemi pasur ndër vite 7290 kredi të lehtësuara, subvencionime qirash për 14 mijë e 512 familje, kemi ndërtuar 1058 banesa sociale dhe kemi përmirësuar kushtet e banesave për 6078 familje në të gjitha bashkitë e vendit”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja foli edhe për programet e reja të mbështetjes për strehimin. Ajo bëri me dije se gjatë vitit 2026 janë hapur 300 kuota për kredi me normë interesi zero për punonjësit e administratës publike. “Në vitin 2026 ne kemi hapur para disa javësh 300 kuota për kredi me normë interesi zero për punonjësit e administratës publike”, tha ajo.
Sipas Ibrahimajt, ndërkohë vijon edhe shpërndarja e 2000 kuotave të kredive me normë interesi të lehtësuar prej 3%, të miratuara vitin e kaluar. Ajo shtoi se Bashkia e Tiranës ka hapur këtë vit një tjetër thirrje për 1500 kuota kredie me normë interesi të lehtësuar. “Vitin e kaluar janë 2000 kuota që janë shpërndarë dhe po vazhdojnë të shpërndahen në bashkitë e vendit për kredi me normë interesi të lehtësuar prej 3%. Këtë vit Bashkia e Tiranës ka shpallur thirrjen për 1500 kuota të tjera për kredi me normë lehtësuese”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj njoftoi gjithashtu shpalljen e fituesve të programit për përmirësimin e kushteve të banesave. Sipas saj, në këtë program kanë aplikuar 33 bashki, ndërsa 26 prej tyre janë shpallur fituese. “Sot shpallim fituesit e programit për përmirësimin e kushteve të banesave. 33 bashki kanë aplikuar në këtë program dhe 26 prej tyre u shpallën fituese”, tha Ibrahimaj. Për zbatimin e këtij programi do të alokohet një fond prej 700 milionë lekësh, i cili do të përdoret për përmirësimin e kushteve të banimit për qindra familje në të gjithë vendin. “Një fond prej 700 milionë lekësh do të alokohet për përmirësimin e kushteve të banesave për 663 familje në të gjithë vendin”, theksoi ministrja.
/rtsh.al/