Programi bërthamor, Jalili: Do vazhdojnë bisedimet me fuqitë botërore
Kryenegociatori i Iranit në bisedimet bërthamore me fuqitë e mëdha botërore thotë se të dy palët kanë vendosur që bisedimet të vazhdojnë.
Said Jalili tha të enjten se ka zhvilluar një diskutim të gjatë dhe të dobishëm me shefen e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton në Stamboll dhe se të dy palët vendosën të vazhdojnë të punojnë së bashku.
Edhe Ashton tha se ka zhvilluar diskutim të dobishëm me Jalilin, por ajo nuk bëri asnjë njoftim në lidhje me raund të ri të bisedimeve.
Në negociata, Ashton përfaqëson pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Britaninë dhe Francën, plus Gjermaninë.
Fuqitë botërore duan që Irani të pezullojë pasurimin e uraniumit për të risiguruar botën se nuk është duke kërkuar armë bërthamore.
Irani thotë se programi i tij bërthamor është krejtësisht paqësor dhe dëshiron që fuqitë ta njohin të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit.