E Enjte, 5 Nëntor 2026

Programi i PD për politikën e jashtme, Basha: Integrim në BE, liberalizim i vizave me SHBA

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpërndau sot në rrjetet e tij sociale një tjetër pjesë të programit të prezantuar të shtunën e kaluar, atë për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Kreshnik Çollaku, Xhemal Gjunkshi, Myzafer Elezi dhe Edvin Kulluri shpalosën propozimet e hartuara nga një grup i gjerë ekspertësh.

Sa i përket politikës së jashtme, ndër të tjera PD zotohet se do realizojë integrimin në BE dhe liberalizimin e vizave me SHBA.

Ndërsa për sigurinë kombëtare risi do të jetë themelimi i Xhandarmërisë Kombëtare me kapacitete të plota tokësore, ajrore dhe detare.

Në propozimet e saj PD premton heqjen e vizave nga SHBA për qytetarët shqiptarë brenda mandatit të parë qeverisës.

Partia Demokratike garanton mbështetje e angazhim të plotë e aktiv në të gjitha nismat rajonale që synojnë integrimin euroatlantik të rajonit, si dhe mbështet totalisht e pa rezerva nisma si Procesi i Berlinit, duke dekurajuar çdo format tjetër me destinacion të paqartë dhe që rrezikon të devijojë nga parimet e integrimit në BE.

Partia Demokratike ka si çështje prioritare në politikën e saj të jashtme interesat shqiptare në rajon.

“Mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe konsolidimi i shtetit demokratik në Kosovë është një prioritet përcaktues për Partinë Demokratike në politikën e jashtme, në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon e më gjerë”, thuhet në programin e PD.

PD gjithashtu do të mbështesë konsolidimin e faktorëve politikë shqiptar dhe do të nxisë fuqizimin e përfaqësimit institucional të këtyre faktorëve në vendet fqinje.

“Partia Demokratike angazhohet dhe garanton një harmonizim të plotë të qasjes në çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë me aktorët e faktorët politikë shqiptarë në rajon, larg paternalizmit, personalizimit dhe ndërhyrjes në çështje të brendshme dhe konfliktualitit të shfaqur në mënyrë të dëmshme përgjatë viteve të qeverisjes Rama”, theksohet më tej në program.

“Konfliktualitetin dhe klientelizmin e qeverisë Rama, PD do t’i kundërvendosë harmonizimin dhe respektin reciprok me të gjithë faktorët politikë shqiptarë në rajon”, thuhet më tej në program.

Partia Demokratike e konsideron jetik rolin e diasporës shqiptare.

PD vlerëson se ka një Shqipëri tjetër jashtë kufijve, e cila ka të drejtën të ndihet e përfshirë dhe e përfaqësuar në jetën publike, ekonomike dhe politike në vend.

PD zotohet të garantoje të drejtën e votës për diasporën si një detyrim kushtetues i Republikës së Shqipërisë ndaj shtetasve të saj.

Partia Demokratike në mbështetje të ruajtjes së gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar, merr përsipër ngritjen e Institutit të Gjuhës e Kulturës Shqiptare, me një rrjet filialesh në vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët në botë.

Sa i përket Sigurisë Kombëtare, prioritet do të jetë zhvillimi i partneriteteve strategjike me vendet e aleancës në vlerësimin e përbashkët të rreziqeve dhe kërcënimeve të hapësirës Euro-Atlantike.

PD premton modernizimin e emergjencave civile, si në koncept, infrastrukturë, bazë ligjore dhe zhvillim kapacitetesh.

5000 djem dhe vajza të moshës 18-30 vjeç që angazhohen për 4 vite në shërbim aktiv në forcat e armatosura, bashkë me trajnimin ushtarak marrin një profesion ose diplomohen me shpenzimet e shtetit do të paguhen si rezervistë deri në moshën 45 vjeç.

PD gjithashtu synon themelimin e Komandës së Mbrojtjes Kibernetike.

Komanda e Mbrojtjes Kibernetike ka përgjegjësi për planifikim, koordinim dhe kryerjen e aktiviteteve tekniko-ushtarake duke drejtuar operacionet dhe mbrojtjen kibernetike të infrastrukturës kritike, kryerjen e operacioneve operacionale në “hapësirën kibernetike ushtarake” me spektër të plotë duke garantuar funksionimin e infrastrukturave kritike dhe sigurimin e hapësirës kibernetike të FA dhe të partnerëve tanë të NATO-s në Shqipëri.

Gjithashtu synohet krijimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare brenda vitit 2029, e cila do të jetë një agjenci e koordinimit të  Sigurisë dhe inteligjencës (SHISH, AMP, AISM, KMK)

“Si firmëtar i integrimit të FA në NATO, Partia Demokratike do të mbështesë politikat e NATO-s duke rritur shpenzimet reale për mbrojtjen, në interes te sigurisë kombëtare”, thuhet në program.

Buxheti i vitit 2026 do të jetë 2% e GDP-së reale, me tendencë në rritje për vitet pasardhëse, ku projektet e modernizimit do të buxhetohen deri në implementimin e tyre brenda mandatit të parë.

Synohet fuqizimi i kapaciteteve të mbrojtjes do të realizohet në ndërveprim me Kosovën dhe do të jetë udhërrëfyesi i forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes. Fuqizimi i forcave të luftimit (tokë, ajër, det, komandës së mbrojtjes kibernetike) në mënyrë të kombinuar simetrike dhe asimetrike;

Po ashtu, PD synon rritjen e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të vendeve partnere dhe të rajonit.

Në program parashikohet reformimi i strukturës së Policisë së Shtetit në përshtatje me situatën e kriminalitetit në vend, me fokus kontrollin e plotë të territorit.

Synohet pastrimi i Policisë së Shtetit nga personat me lidhje kriminale, nëpërmjet një procesi ligjor, transparent dhe të besueshëm.

“Pa asnjë dyshim, angazhimi më i madh dhe pika e kthesës për rivendosjen e rendit dhe sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe garantimin e jetës dhe shëndetit të shtetasve, do të jetë themelimi i Xhandarmërisë Kombëtare me kapacitete të plota tokësore, ajrore dhe detare”, thuhet më tej në program.

Xhandarmëria Kombëtare, si një forcë elitë e specializuar, e përbërë prej 1000 efektivë do të këtë në fokus të saj luftën kundër krimit, ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike, ndërhyrjen në operacionet kundër Akteve Terroriste, angazhimin në rastet e Emergjencave Natyrore, si dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura në raste të operacioneve ushtarake.

Partia Demokratike angazhohet të përmirësojë trajtimin financiar të punonjësve të rendit dhe sigurisë, duke rritur pagën në masën 50 %, si dhe duke shtuar masën adekuate financiare për përfshirjen në operacione të veçanta dhe shërbime jashtë qendrave të banimit, në përputhje me indeksin e rritjes së inflacionit.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›