“Progres në rritjen e aspektit të barazisë para ligjit”/ Rama: Puna e policisë është përbaltur, meriton respekt

Mbi 82 % e qytetarëve ndihen të sigurt në Shqipëri duke iu afruar ndjeshëm mesatares së Bashkimit Europian. Duke iu referuar shifrave të publikuara në anketën e financuar nga qeveria suedeze për përcektimin e qytetarëve mbi nivelin e besimit tek policia e shtetit, kryeministri Edi Rama tha se siguria nuk është atribut vetëm i rendit por i një sërë institucionesh, me në krye qytetarin.
“82% ndihen të sigurt në Shqipëri dhe kjo është brenda normës së mesatares së BE. Vetëm 4% e qytetarëve kanë qenë pre e grabitjes apo vjedhjeve vitet e fundit, kjo shifër është më e ulët dhe mesatarja e BE, e cila është 9%. Kjo është e vendeve më të sigurta në BE, në këtë vendin tonë ku të gjithë vriten, sulmohen. 65% e qytetarëve vlerësojnë punën e policisë si të mirë dhe shumë mirë, që është një përmirësim domethënës nga ku jemi nisur dhe që tregon se reformimi i policës vazhdon të jap fryte”.
Shifra këto që janë mbështetur edhe nga institucionet ndërkombëtare pasi sipas Ramës, celja e negociatave me Bashkimin Europian ndër të tjera ka ardhur per shkak të rritjes së barazisë perpara ligjit.
“Kurrë më shume sesa sot, Shqipëria nuk ka qenë e mobilizuar për ta arritur barazinë para ligjit. Na është konfirmuar si fakt i pamohuar nga çelja e negociatave me BE, të cilat janë janë asnjë dhuratë dhe as vendimmarrje politike, por konstatim i progresit të bërë, në aspektin e nivelit të rritjes së barazisë para ligjit”.
Kryeministri tha se projekti i rradhës është “Smart City”, survejimi me kamera i qyteteve me fokus qarkullimin rrugor. Sipas Ramës, të gjitha ankesat e qytetarëve dhe shkelësit do të konfirmohen në kohë reale në 20 qytete të vendit.
“Një sistem i bazuar tek fjala e fundit të sigurisë digjitale i pasuruar me inteligjencën artificiale që do të japë informacione në kohë reale përmes sallave të monitorimit të të gjithë qyteteve që do ta kenë këtë sistem. Do fillohet me 20 qytete. Së shpejti do fillojë sistemi për rrugët kombëtare. Do japë mundësi që çdo ankesë e çdo qytetari të trajtohet në kohë reale. Sistemi verifikon jo thjesht me fotografi, por verifikon me personin, emrin, mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penal”.
Qe policia e shtetit të qëndrojë në mes të policive të Bashkimit Europian, Rama tha se janë plotë të meta për tu adresuar, prej të cilave edhe fakti që 53% e të anketuarve janë të pakënaqur sesi janë trajtuar nga uniformat blu apo edhe raportimi tek këshillat vendor për sigurinë publike.
“Këto këshilla tani me vendimin e qeverisë raportojnë te Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Komunitet dhe prandaj duhet të bëhen aktiv kudo, duhet të bëhen të vërtet dhe duhet të bëhen konkret , zoti Drejtor i Përgjithshëm, sepse është shumë e rëndësishme që të rritet vëmendja e drejtpërdrejtë nga niveli qendror në atë vendor dhe të përmirësohen kushtet për forcimin e llogaridhënies së ndërsjelltë”.