Progresraporti, Rama: Bazë e pazëvendësueshme të dhënash për anëtarësimin, të tjerët shumë larg profesionalizmit

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato mbi Raportin e Progresit 2024 për Shqipërinë të publikuar nga Komisioni Europian se, “progresraporti është një bazë e pazëvendësueshme të dhënash për të folur gjëra që bëjnë sens kur flasim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.
“Kush flet për Bashkimin Evropian, kush flet për integrimin evropian. Kush del nëpër ekrane apo merr penën përmes tastierës, kompjuterit për të shkruar për këtë proces, bën mirë ta lexojë këtë raport, sepse është një bazë e pazëvendësueshme të dhënash për të folur gjëra që bëjnë sens kur flasim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Rama.
“Raporti është publik, kushdo mund ta lexojë, mund ta vlerësojë mund ta inspektojë, mund ta përdorë dhe, siç e thashë në fillim, është pasqyra më e detajuar më e imët, më besnike e realitetit të zhvillimeve në vend të 12 muajve të fundit”, theksoi Rama.
“Të gjithë të tjerët shkruajnë, japin opinione, mbledhin perceptime, bëjnë konkluzione, por janë shumë larg profesionalizmit dhe objektivitetit të raportit të Komisionit Evropian”, u shpreh kreu i qeverisë.
Për këtë arsye, nënvizoi kryeministri Rama, “Evropa, BE-ja, KE-ja janë bekimi më i madh për një vend si Shqipëria që përndryshe do ta kishte të pamundur të bënte shtetin që po bën dhe të bëhej pjesë e një familjeje me vlera, me standarde dhe me kritere funksionimi që nuk i gjen askund tjetër në botë”.
Rama falënderoi ambasadorin Gonzato për mbështetjen.
“Faleminderit për raportin, faleminderit për vlerësimet, faleminderit për kritikat, faleminderit për detyrat! Ne jemi nxënës ambiciozë në këtë proces.
Më vjen shumë mirë që nga viti në vit marrim nota më të mira, por jemi shumë të vetëdijshëm që për të marrë notën maksimale, që është vula e anëtarësimit në BE, kemi shumë akoma për të bërë dhe kemi të meta dhe boshllëqe për të adresuar dhe jemi shumë të bindur që kemi gjithë kapacitetet për t’i adresuar dhe falë edhe partneritetit gjithmonë e më të ngushtë që kemi me delegacionin e Komisionit Evropian këtu dhe vetë KE-në në Bruksel”, tha Rama.
/r.e/