Projektbuxheti 2025, Berisha: Dy amendamente për buxhetin e shtetit

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat ditën e sotme, ka analizua projektbuxhetin për vitin 2025, që është prezantuar nga qeveria.
Sipas Berishës, ky është një buxhet që nuk u përkushtohet qytetarëve.
Kreu i PD-së, nga “arresti i shtëpisë”, deklaroi se, ky buxhet parashikon zero rritje pagash dhe injoron totalisht arsimin, fermerët dhe biznesin.
“Çfarë ndodh me rrogat? Zero rritje rrogave në vitin 2025. Çfarë ndodh me fermerët? Trajtim qesharak i paimagjinueshëm. Taksa ndëshkuese TVSH nuk ndryshon dhe lihen gjithsej 40 milionë për ata të cilët japin mbi 20 për qind të prodhimit bruto të vendit.
Çfarë ndodh me bizneset? Sa u kalon nga ky buxhet bizneseve që janë gjeneratorët e tij? Jo vetëm që nuk ulen taksat, por rriten përsëri taksat dhe përveç tyre, parashikohen që nëpërmjet metodave arbitrare, të paguajnë edhe 500 milionë euro më tepër”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se, edhe investimet që bëhen me këtë buxhet, janë njësoj si ato që bëheshin në diktaturë, ku ndërtoheshin bunkerë e tunele, pa asnjë lloj fitimi.
Kryetari i PD, e ka cilësuar çnjerëzor, buxhetin e parashikuar për pensionistët nga ana e qeverisë.
“Pensionet në Shqipëri janë shumë më të të ulëta në krahasim me rajonin, ndërkohë që në vitin 2013 ishin më të lartat”, tha kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës së tij me median.
Berisha bëri të ditur se opozita do të paraqesë dy amendamente, një përcaktimin e minimumit jetik në 200 Euro ndërsa një amendament tjetër do të jetë për minatorët.
“Ligji i parë që do të miratohet, parashikon që të mos ketë qytetar shqiptar nën 200 euro, pavarësisht nga çdo gjë tjetër. Dhe pastaj dyfishim i rrogave. Rroga minimale 500 euro dhe ai sharlatani i Surrelit thoshte se po deklarojmë pensionin 500 euro. Kemi deklaruar rrogën minimale 500 euro”.
/a.f/r.e/