Projekti me mbështetjen e ambasadës së SHBA,100 studentë përvojë praktike në sigurinë kibernetike

TIARNË, 25 nëntor/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po mbështet projektin “Simulimi i sulmit kibernetik dhe strategjisë së sipërmarrjes për të rinjtë”, i krijuar për të fuqizuar të rinjtë shqiptarë me aftësi kritike në drejtimin në sipërmarrje dhe gatishmërinë ndaj krizave kibernetike.
Ky projekt mbështetet në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, ku tema e këtij viti kishte të bënte me fuqizimin e sipërmarrësve, mbështetjen e ideve të tyre dhe ndikimin.
“Kjo nismë do të pajisë 100 studentë nga 10 universitete me përvojë praktike në sigurinë kibernetike dhe strategjinë e sipërmarrjes përmes seminareve dhe simulimeve interaktive, të zhvilluara në bashkëpunim me Harvard Business Publishing”, thuhet në një postim të ambasadës së SHBA-së.
Ditët e simulimit nisën te Piramida e Tiranës, ku studentët e parë patën shansin të merrnin pjesë në simulimin Cyber Attack dhe Viv8, duke u përballur me raunde të ndryshme vendimmarrjeje në nivele në rritje të përshkallëzimit të krizës.
Ky projekt synon të nxisë një mjedis të sigurt për inovacion dhe sipërmarrje, të rrisë ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike dhe të kultivojë një rrjet udhëheqësish të ardhshëm të teknologjisë.
1 nga 5/k.s/j.p/