Projekti për transformimin e sheshit “Nënë Tereza”, PD: Po shkatërrohet trashëgimia e Tiranës

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Partia Demokratike kundërshtoi sot projektin për ndërhyrjen në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Në një deklaratë për mediet nga selia blu, kryetarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Julinda Emiri, tha se po rrezikohet një prej hapësirave më të rëndësishme arkitekturore dhe kulturore të kryeqytetit.
Sipas Emirit, projekti parashikon ndërtimin e një parkingu dhe ndërhyrje të mëtejshme me pllaka e beton, duke ndryshuar karakterin e sheshit të projektuar në vitet ’30 nga arkitekti italian Gherardo Bosio.
“Me një tender prej 22 milionë eurosh, Edi Rama po synon që të shkatërrojë edhe një nga dëshmitë e fundit arkitektonike dhe kulturore të Tiranës tradicionale, ‘Sheshin Nënë Tereza’, vepër e arkitektit italian Gherardo Bosio”, deklaroi Emiri.
Emiri e krahasoi projektin me ndërhyrjet e kryera në Sheshin “Skënderbej”. Sipas saj, ndërhyrje të tilla nuk dëmtojnë vetëm pamjen urbane, por edhe funksionin dhe identitetin historik të shesheve të kryeqytetit.
Ajo tha se sot Tirana nuk të ofron më asgjë nga historia dhe tradita.
Në deklaratën e saj, Emiri u ndal edhe tek politika urbane e ndjekur në Tiranë gjatë viteve të fundit, duke përmendur ndërtimin e kullave, shembjen e Teatrit Kombëtar, ndryshimet pranë monumenteve historike dhe, sipas saj, zhdukjen graduale të elementeve të arkitekturës tradicionale të kryeqytetit.
“Një shkretëtirë trashëgimie dhe kulture, me kosto të pallogaritshme”, tha ajo.
Sipas saj, “Partia Demokratike është pro zhvillimit dhe projekteve që e rregullojnë qytetin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve, por ne jemi absolutisht kundër shkatërrimit të kujtesës së qytetit dhe betonizimit të hapësirave publike për teka dhe klientelizëm”.
“Këta 22 milion euro për një shesh mund të përdoreshin për dhjetra vepra të tjera, për të cilat Tirana ka realisht nevojë”, shtoi ajo.
/m.q/a.f/